Edmond Spaho, nënkryetar i PD-së beson se Edi Ramës dhe qeverisjes së tij me botën e krimit tashmë i ka ardhur fundi. Po ai paralajmëron se në rast se do të tentojë të ndryshojë vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e 2021, ai do përballet me zemërimin e tyre. Z.Spaho shprehet se opozita e bashkuar do të marrë të gjitha masat dhe do përdorë çdo formë dhe mjet në dispozicion për të mos lejuar tjetërsimin e vullnetit të shqiptarëve në zgjedhjet e 2021. Z.Spaho thotë për “Gazeta Shqiptare” se PD-ja po shkon drejt procesit të përmbylljes së përzgjedhjes së kandidatëve teksa Lulzim Bashën e vlerëson për rritjen e shkallës së vendimmarrjes së anëtarësisë së Partisë. Kjo mënyrë përzgjedhje sipas Edmond Spahos do të rrisë cilësinë e kandidatëve të seleksionuar duke rritur edhe premisat për fitore.

Lidhur me prishjen e stabilitetit politik pas shkeljes së marrëveshjes së 5 qershorit, Spaho shprehet se Edi Rama po përpiqet t’i ndryshojë në mënyrë të njëanshme Kushtetutën për përfitime elektorale të partisë së tij. “Ne si opozitë do të marrim të gjitha masat dhe do të përdorim çdo formë dhe mjet në dispozicion për të mos lejuar ndryshimin e vullnetit të qytetareve në zgjedhje. Nëse Edi Rama do të tentojë të fusë duart në zgjedhje, do përballet me reagimin më të ashpër të opozitës dhe të qytetarëve dhe do i vijë fundi nga zjarri që do ndezë vetë”, – u shpreh z.Spaho.

Z.Spaho, PD-ja është përfshirë prej javësh në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë. Cila është ecuria e deritanishme?

Sikurse e dini, ka përfunduar faza e propozimeve të kandidaturave për funksione të larta politike në të gjithë degët e Partisë Demokratike. Aktualisht Komisioni i Seleksionimit të Kandidaturave po shqyrton përputhshmërinë e çdo kandidature me kriteret përkatëse. Jam i bindur që në 15 shtator do kemi listën për çdo degë për të realizuar procesin e votimit nga anëtarësia.

Kjo mënyrë përzgjedhjeje e emrave që do garojnë në zgjedhjet e 2021-it, a garantojnë lojtarë të pastër drejt Kuvendit të ri?

Kjo mënyrë përzgjedhjeje e emrave synon të rrisë demokracinë në parti, duke i kaluar vendimmarrjen për përzgjedhjen e atyre që do na përfaqësojnë në pozicione të larta politike në Kuvend, pushtet vendor dhe ekzekutiv, tek vota e anëtarëve të Partisë Demokratike. Në këtë mënyrë bëhet realitet premtimi që nuk do të jetë kryetari i partisë, ai që do përgatisë këto lista, por anëtarësia e gjerë nëpërmjet procesit të votimit. Kjo mënyrë përzgjedhje do të rrisë cilësinë e kandidatëve të seleksionuar duke rritur edhe premisat për fitore. Dua të kujtoj që kandidatet e Partisë Demokratike për funksione të tilla do të kalojnë edhe në Komisionin që verifikon përputhshmërinë e tyre me kërkesat e ligjit të dekriminalizimit. Sikurse e shihni, jo vetëm është rritur shkalla e vendimmarrjes së anëtarësisë të partisë, por edhe kujdesi për kandidatura cilësore me të shkuar të pakompromentuar.

Pas kthesës së Genc Rulit dhe Besnik Mustafajt, për ke tjetër hap portën PD-ja?

Partia Demokratike ësh të e hapur për këdo individ me vlera dhe integritet që mendon se mund të kontribuojë në rrëzimin e kësaj mazhorancë dhe Edi Ramës.

Pas ndryshimeve kushtetuese në Kuvend më 30 korrik, në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca socialiste, a janë prishur ekuilibrat politikë të vendosur pas marrëveshjes politike të 5 qershorit?

Ekuilibrat politikë janë prishur sepse është hedhur poshtë nga mazhoranca, marrëveshja e 5 qershorit dhe 14 janarit ku përcaktohet që ndryshimet që kanë të bëjnë me rregullat e zgjedhjeve bëhen në Këshillin Politik dhe vetëm me konsensusin e palëve në Këshill. Marrëveshja e 5 qershorit u arrit me kontributin dhe garancitë e bashkësisë ndërkombëtare dhe u përshëndet nga drejtues të rëndësishëm të BE-së dhe SHBA-ve, përfshirë Sekretarin amerikan të Shtetit. Në marrëveshjen e 5 qershorit është përcaktuar që partitë politike mund të regjistrohen në zgjedhje me koalicione paraprake dhe çdo parti në koalicion mund të këtë listën e saj të kandidatëve. Këto dy parime të rëndësishme të 30 viteve zgjedhje në vend, Edi Rama po përpiqet t’i ndryshojë në mënyrë të njëanshme për përfitime elektorale të partisë së tij.

Ndryshimet e njëanshme kushtetuese, a dëmtojnë opozitën në zgjedhjet e ardhshme parlamentare?

Edi Rama po përpiqet të fitojë avantazh elektoral duke ndryshuar rregullat e lojës në mënyrë të njëanshme. Pavarësisht kësaj, atë nuk e shpëton dot asgjë nga humbja dhe nuk e ndal dot rotacionin politik. Është vullneti i qytetarëve, ai që do të diktojë ndryshimet politike dhe jo makinacionet e Ramës.

Qytetarët mezi presin ditën e votimit për ta ndëshkuar për gjendjen katastrofike ekonomike, mungesën e punës dhe të ardhurave, rritjen e çmimeve dhe taksave, mungesën e investimeve të huaja, për korrupsionin e pafre dhe vjedhjen masive të fondeve të buxhetit, për largimin masiv të shqiptarëve në emigracion, për ndërprerjen e rrugëtimit europian të vendit, për kapjen e institucioneve dhe tentativën për të instaluar një regjim putinist në Shqipëri.

Pas votimit të hapjes së listave dhe ndalimit të koalicione, a do të qëndrojë opozita duarkryq? Si do të reagojë? A janë një nga format e reagimit, edhe protestat?

Marrëveshja e 5 qershorit parashikon që ndryshimet në Kodin Zgjedhor bëhen në Këshillin Politik me konsensusin e palëve pjesëmarrëse. Nëse Kodi Zgjedhor ndryshohet në mënyrë të njëanshme, opozita do të marrë vendimet e nevojshme.

A mund të manipulohen sërish zgjedhjet, pavarësisht Kodit të ri Elektoral? Çfarë garancie jep opozita për mbrojtjen e votës?

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor përmirësojnë rregullat për të pasur një proces zgjedhor të lirë, të drejtë e të ndershëm, por nuk i garantojnë ato nëse mungon vullneti politik i atij që organizon zgjedhjet për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme. Zgjedhjet i organizon qeveria dhe ajo është përgjegjëse ndaj qytetarëve shqiptarë, por edhe komunitetit ndërkombëtar për të realizuar zgjedhje sipas standardeve të gjithëpranuara. Në zgjedhjet në Shqipëri të organizuara nga kjo mazhorancë, fut duart krimi i organizuar dhe paratë nga aktivitete kriminale dhe të drogës. Për fat të mirë, kohët e fundit ka një ndërgjegjësim më të madh si të opinionit vendës, edhe atij ndërkombëtar për problemet që kanë zgjedhjet në Shqipëri duke vendosur zgjidhjen e tyre si kusht për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Eevropian.

…Dhe çfarë masash do të marrë opozita në këtë rast?

Ne si opozitë do të marrim të gjitha masat dhe do të përdorim çdo formë dhe mjet në dispozicion për të mos lejuar ndryshimin e vullnetit të qytetarëve në zgjedhje. Nëse Edi Rama do tentojë të fusë duart në zgjedhje, do të përballet me reagimin më të ash për të opozitës dhe qytetarëve dhe do i vijë fundi nga zjarri që do ndezë vetë.

Çfarë kërkohet nga opozita për të parandaluar skenarë të mundshëm të manipulimit të votës?

Përgatitja për zgjedhjet e ardhshme parlamentare është ajo që kemi në qendër të vëmendjes dhe po punojmë intensivisht. Kjo nënkupton përzgjedhjen e kandidatëve që do na përfaqësojnë, finalizimin e programit, mobilizimin maksimal të strukturave për fushatë si dhe marrja e masave për ruajtjen e votës. Po punojmë për të tërhequr sa më shume forca në radhët e opozitës përfshirë grupe interesi, përfaqësues të shoqërisë civile, intelektualë dhe këdo tjetër që dëshiron të kontribuojë për largimin sa më parë të qeverisë së Ramës. Paralelisht vazhdon opozicioni me këtë qeveri duke denoncuar keqqeverisjen, skandalet, korrupsionin të cilët i ndesh kudo dhe në çdo kohë.

Cila platformë rikthen opozitën në pushtet?

Ekonomia është shqetësimi kryesor i të gjithë shqiptarëve. Dështimi në ekonomi është thelluar më tej nga tërmeti i vitit të shkuar si dhe situata e pandemisë, ku qeveria bëri fare pak për të mbështetur qytetarët, shëndetësinë dhe biznesin. Po mbushet rreth një vit që ekonomia e vendit ka hyrë në recesion. Mijëra vende pune janë mbyllur, të ardhurat parashikohen të zvogëlohen me rreth 700-800 milionë euro, borxhi publik është rritur me rreth 1 miliard euro të tjera duke kapërcyer nivelin 80% të PBB. Programi i Partisë Demo- kratike u jep zgjidhje shqetësimeve të qytetarëve. Taksa e sheshtë 9%, ulja e çmimeve të lëndëve energjetike, mbështetja me prioritet e bujqësisë janë disa nga masat e para që do të merren dhe që do krijojnë mundësi për më shumë para në xhepat e qytetarëve, më shumë të ardhura për bizneset, më shumë investime të huaja e për rrjedhojë edhe vende të reja pune.

Pavarësisht skandaleve e aferave korruptive të denoncuara nga opozita, çfarë e bën të rezistueshëm Edi Ramën?

Edi Rama ka ardhur në pushtet me lidhjet me botën e krimit dhe qëndron në pushtet duke iu shërbyer atyre. Kësaj epoke tashmë i ka ardhur fundi. Manipulimi i zgjedhjeve është i papranueshëm për këdo. Nëse Rama do tentojë të ndryshojë vullnetin e qytetarëve, ai do përballet me zemërimin e tyre.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb