TIRANË- Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka humbur gjyqin me kreun e PD-së, Lulzim Basha të cilin e kishte paditur për shpifje dhe fyerje. Gjykata ka shpallur sot të pafajshëm liderin e PD. Por pas këtij vendimi Beqaj ka dhënë se do apelojë duke akuzuar prokurorinë dhe gjykatën se po legjitimojnë fyerjen dhe shpifjen.

“Do ta apeloj vendimin e gjykatës. Prokuroria dhe Gjykata legjitimojnë fyerjen dhe shpifjen si mënyrë e të bërit politikë.

Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ngriti padi ndaj Bashës pasi ky i fundit e akuzoi për vjedhjen e 31 milionë eurove.

Beqaj u shpreh atëherë se nëse Basha do të vërtetonte para gjykatës se ai ka vjedhur qoftë edhe 31 mln lekë, atëherë do të tërhiqej nga politika.

PD: U CERTIFIKUA ZYRTARISHT SE ËSHTË KAMPIONI I RAMËS NË VJEDHJE
Pas vendimit të Gjykatës, Partia Demokratike ka reaguar me një deklaratë për mediat, ku thotë se ‘tashmë është certifikuar zyrtarisht se ministri Beqaj është kampion i Edi Ramës në vjedhje’.

“Gjykata e Tiranës ka rrëzuar sot pretendimet e Ilir Beqës, i cili u ankua për denoncimet që ka bërë kryetari i PD, Lulzim Basha, për hajdutërinë e tij në shëndetësi, më e madhja se në çdo sektor tjetër të qeverisë, për rrënimin e spitaleve, për mungesën e ilaçeve dhe materialeve bazike.
Z.Basha dhe Partia Demokratike kanë denoncuar ashpër koncesionet e check-up dhe të sterilizimit, afera të pastra financiare, ku Beqaj ka firmosur ndarjen e 350 milionë eurove me klientët e tij dhe të Edi Ramës.
Ilir Beqaj ka qenë vazhdimisht i akuzuar nga kryetari i PD dhe nga mbarë opinioni publik, si hajdut me çizme, si kampioni i korrupsionit, që e ka kthyer shëndetësinë në kantierin më të madh të përfitimit për veten e tij e për Ramën, ndërkohë, duke sjellë rrënimin e shërbimit më të rëndësishëm në vend, që i ka kushtuar edhe jetën jo pak qytetarëve.
Me Ilir Beqën, spitalet s’kanë ilaçe, mungojnë dorashkat për operacionet, pacientët shtrihen korridoreve, nuk ofrohet kimioterapia sepse nuk punon pajisja e kobaltit, medikamentet e skaduara po bëjnë kërdinë, ndërkohë që ministri u dërgon mesazhe qytetarëve që kanë ndërruar jetë pikërisht për shkak të rrënimit që ai ka shkaktuar.
Gjykata e Tiranës sot, edhe pse nën shantazhet e vazhdueshme të hajdutit Ilir Beqaj, ka çmuar se akuzat për korrupsion në shëndetësi, nuk janë shpifje.
Tashmë është e certifikuar edhe zyrtarisht se Ilir Beqaj, është kampioni i Edi Ramës në fushën e vjedhjes, dhe përgjegjës për krimin e madh që bëhet ndaj shqiptarëve me kthimin e shëndetësisë në biznesin më të madh Rama-Beqaj, në kurriz të qytetarëve”, shprehet PD.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: