Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përsëriti edhe njëherë planin e tij me pesë pika, që sipas tij, do të ndihmojë në stabilizimin e situatës.

Pas takimeve me sipërmarrje në Fushë Krujë, kryedemokrati tha se bizneset duhet të marrin një çek në gjashtë muajt e ardhshëm për të përballuar kostot e mëdha të pandemisë. Mes të tjerash, ai siguroi bizneset se kur të vijë në pushtet, qeveria do të jetë në krah të tyre dhe jo kundër.

“Ju siguroj se shumë shpejt do të keni një qeveri, që do ta keni në krah dhe jo kundër. Do ta keni në krah jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra. Është e domosdoshme që sipërmarrja të mbështetet. Ne kemi dy masa të veçanta, për biznesin e vogël një cek prej 1 mijë euro për të paguar taksat dhe për të mbajtur kokën mbi ujë, sepse jam shumë i brengosur nga numri i madh i bizneseve që falimentojnë cdo ditë. Sa i përket sipërmarrjes punëdhënëse, është e domosdoshme që të kenë mundësi të përfitojnë nga garancia sovrane. Në planin tonë me 5 pika parashikojnë që interesi mbi 2% të subvencionohet nga shteti, pra këta ta marrin kredinë me jo më shumë se 2%. Kredia që iu duhet për të paguar punonjësit duhet të jetë me interes zero.

Në letër këto gjëra janë thënë, por nuk janë bërë në praktikë, pasi kanë përfituar vetëm një grusht njerëzish. Ndaj është e rëndësishme që të rishikohen kushtet dhe këta biznese të marrin pagat, pasi mbyllja e një biznesi të tillë do të thotë, larg qoftë, që 50 familje të humbasin bukën e gojës. Ne kemi propozuar që të gjithë ata që humbën vendin e punës të marrin një cek prej 160 mijë lekë të vjetra në 6 muajt e ardhshëm, kurse punëdhënësit që merr në punë atë që e kishte larguar nga pandemia t’i jepet një cek prej 200 mijë lekë të vjetra në muaj. Sa i përket pensionistëve, kemi propozuar t’iu jepet një cek prej 20 mijë lekë të vjetra në 6 muajt e ardhshëm për të përballuar kostot shtesë. Ky plan nuk është mrekulli, por një përpjekje për të stabilizuar situatën”, tha Basha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb