Kreu i PD, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me pedagoge të Universitetit ‘’Luigj Gurakuqi’’ në Shkodër.

Pedagoget kanë ngritur një sërë shqetësimesh lidhur me arsimin e lartë, pasigurinë e së ardhmës, emigrimin dhe mungesën e mbështetjes nga shteti.

Basha i ka garantuar pedagoget se nuk do të mbetet bir dhe bijë shqiptari pa universitet për shkak të kushteve ekonomike apo shkaqeve të tjera të sajuara.

Ai akuzoi qeverinë se ka buxhetin më qesharak në Ballkan për arsimin, duke ironizuar se më shumë vlen sot një darkë tek Nurest-i se sa kërkimi shkencor për gjithë Shqipërinë.

NJOFTIMI PËR TAKIMIN E KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA, ME PEDAGOGE TË UNIVERSITETIT TË SHKODRËS
Në vazhdën e takimeve që ka patur në Shkodër, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka biseduar edhe me pedagoge të Universitetit të Shkodrës, “Luigj Gurakuqi”. Duke vënë në pah emigrimin e rinisë, ato u shprehën se ky është një fenomen që e hasin rëndë si në universitet ashtu edhe tek fëmijët e tyre. Sipas tyre, shkaku kryesor për këtë ikje masive, është pasiguria ndaj të ardhmes në Shqipëri dhe mungesës së mbështetjes të të rinjve.

“Unë nuk jam vetëm një pedagoge që i vuan përditë atë keqqeverisjen e Edi Ramës dhe oligarkëve të tij, por edhe si një nënë që kam djalin jashtë dhe dy të tjerët presin dita ditës të bashkohen të vëllait, kuptohet se sa e rëndë është për një nënë.”

“Me keqardhje konstatoj që një numër shumë i madh i studentëve të mi, rreth 70, 80% e them me bindje e studentëve tonë migrojnë dhe mund të them vetëm një fakt që në 2018-tën dhe deri më sot plot 400 studentë kanë tërheq programet e studimit për të emigruar jashtë Shqipërie edhe me të thënë të drejtën ndihem keq. Ndihem keq sepse edhe këto studentë që ne sot i kemi në vitin e parë, prapë janë me atë idenë me hy në infermieri, me hy në mami, në fizioterapi me qëllim migrimin sepse nuk e gjejnë veten këtu.”

“Momenti i parë kur mbërrita ne Grac në Austri për të bërë temën e diplomës, dhe profesori austriak, fjala e parë që më tha, Nevila si e ke mendjen, do të rrish këtu apo do të kthehesh në Shqipëri? I them, jo unë nuk do të qëndroj në Austri, unë jam shumë e lidhur me familjen, me vendin tim dhe shpresoj që kontributi im një pikë e vogël sikur të jetë, unë do ta jap për vendin tim. Ndihem shumë keq kur vijnë studentët dhe më thonë, profesoreshë ke mundësi të na japësh rekomandim se dua të shkoj jashtë dhe i them pse more do të shkoni jashtë? Ju do të na lini veç ne? Veç ne do ta ndërtojmë këtë vend? Ju jeni rinia, ju jeni e ardhmja. Përsëris, këtu s’ka të ardhme!”

“Ka disa vite që kemi numër të ulët studentësh, pas vendosjes së mesatares për pranim dhe kjo është gjëja kryesore sepse mua më shqetëson jo vetëm si pedagoge por edhe për të ardhmen e familjes time në fund të fundit. E fillova me drejtësinë sepse normalisht siç e thamë çdo gjë lidhet për të vazhduar me arsimin. Ndjehem jashtëzakonisht shumë keq kur unë jam në auditor edhe shikoj auditorët bosh. Shikoj auditorët bosh sepse të rinjve u ka humbur shpresa.”

Një problem tjetër që ngritën, ishte edhe dështimi i mësimit online, pasi kjo mënyrë mësimi përveçse është shumë e lodhshme për pedagogët, nuk jep rezultatin e duhur tek studentët. Gjithashtu, një shqetësim tjetër janë edhe kurikulat mësimore.

“E keqja është se, edhe ky mësimi online ka ndikuar negativisht, si tek ata ashtu dhe tek ne. Tanimë u bënë tre semestra që ne punojmë online. Përderisa ne shkojmë në sallë për të bërë provime, do të ishte mirë që të jemi në sallë për të bërë leksion dhe për të bërë punën që ne na takon. Jemi ndjerë shumë keq kur erdhi orari dhe normalisht u detyruam ta ndërronim çdo gjë në favor të asaj që na erdhi nga ministria. E njëjta gjë ndodh edhe me studentët, studentët nuk janë mirë, sepse mësimin online që ne e zhvillojmë dhe është shumë e lodhshme për gjithsecilin prej nesh, në qoftë se kur donim me orarin e punës bënim 3 orë, aktualisht gjithsecili prej nesh harxhon 10 orë për me përgatit atë që do ta bënim për 3 orë në universitet.”

“Por filloi të zbehej çdo gjë në drejtimin e informatikës dhe akoma sot informatika, jemi në vitin 2021, në Shkodër është e atashuar pranë departamentit të matematikës. Kjo ndodh vetëm në universitetin e Shkodrës, “Luigj Gurakuqi”, por më e keqja është se kur shkon edhe nëpër shkolla të mesme apo të ciklit të mesëm të ulët, unë vërej që informatika jepet nga mësues që kanë përfunduar studimet për gjeografi, për histori.”

Pasi u njoh me shqetësimet që u ngritën, kreu i opozitës tha se dështimi i arsimit e ka zanafillën që nga ligji aktual për arsimin. Për këtë ai u zotua se qeveria e dal nga vota e 25 prillit, vendimi i parë që do të marrë është anulimi i këtij ligji dhe vënia në funksion të autonomisë universitare. Ai gjithashtu premtoi rishikimin e pagave të pedagogëve.

“Pa diskutim që ligji aktual për arsimin e lartë është një nga arsyet e shkatërrimit të arsimit të lartë. Edhe tani që flasim akoma nuk kanë dalë të gjitha VKM-të. Janë mbi 37 VKM dhe akte që duhet të dilnin në zbatim të ligjit dhe për juristët e të drejtës publik ne veçanti momentin që i thua që një ligj ka nevojë për 30 vendime të Këshillit të Ministrave ai vetëm ligj s’është. Nuk ka vend normal në botë që për të zbatuar një ligj i duhen 30 vendime të Këshillit të Ministrave. Në 30 vendime të Këshillit të Ministrave normalisht duhet të zbërthente një kushtetutë dhe jo një ligj. Por në bazë të këtij kaosi, të kësaj amullie qëndron injoranca. Injoranca me të cilën u udhëhoq e ashtuquajtura reformë në arsim që doli një anti reformë. Anulimi i ligjit do të shoqërohet natyrisht me një ligj të ri të cilit janë hedhur piketat që do të bëhet në bashkëpunim me botën universitare shqiptare dhe në përputhje me normat dhe parimet e universiteteve europiane, ku do të dominoj autonomia universitare, shtytje dhe nxite e kërkimit shkencore dhe financimi i kërkimit shkencor nga shteti. Sot kemi buxhetin më qesharak në Ballkan, nuk krahasohemi me Kosovën për kërkimin shkencor. Më shumë bën një darkë te Nusret-i se sa kërkimi shkencor pёr tё gjithё Shqipërinë. E njëjta gjё vlen edhe pёr pagat e pedagogëve, tё cilat zotimet tona nё program janë tё qarta. Pёr infrastrukturën fillestare, s’mund tё pranojmë ne qё informatika tё mbetet degë e matematikës dhe tё dyja ta bёjnё mësimin me dërrasë tё zezë dhe shkumës nё epokën e digjitalizimit. Ndryshimi apo mё mirё tё themi, miratimi i njё ligji tё ri ku qendrore ёshtё autonomia universitare, ku qendrore ёshtё performancën dhe nxitja e performancёs pёrmes mendimit, ku qendror ёshtё roli i pedagogut, ku qendror ёshtё llogaridhënia e universitetit nё bazë tё performancёs dhe nё bazë tё rënkimit tek taksapaguesit shqiptar. Dhe po kёshtu qendror ёshtё asnjё bir e asnjё bij shqiptari nuk mbetet pa universitet, pёr shkak tё kushteve ekonomike apo pёr shkak tё pengesa tё tjera tё sajuara, cilado tё jenë.” –tha Basha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb