TIRANE– Iniciativa e Partisë Demokratike për dekriminalizimin ka qenë një nga temat e diskutuara në një takim që kreu i kësaj partie Lulzim Basha ka zhvilluar ditën e sotme me Kryetarin e Nënkomitetit për Evropën, Euroazinë dhe Kërcënimet e Reja në Kongresin Amerikan, Dana Rohrabacher. Në këtë takim ishin të pranishëm kryetari i stafit të komitetit Paul Behrends, kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu dhe ambasadori amerikan në vendin tonë Donald Lu.

Pasi shprehur mirënjohjen për ndihmën e jashtëzakonshme që SHBA i ka dhënë Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në NATO, në rrugën e zhvillimit ekonomik dhe forcimit të demokracisë e njohu kongresmenin amerikan Dana Rohrabacher me iniciativën e PD për dekriminalizimin.

Basha tha se dyshja Rama-Meta ka promovuar persona me precedentë kriminalë në Kuvendin e Shqipërisë dhe në poste drejtuese të administratës, si dhe janë propozuar nga dyshja Rama-Meta si kandidat për kryetarë bashkie.

Kryetari i PD shprehu mirënjohjen për mbështetjen që po i jep procesit të dekriminalizimit ambasada e SHBA-së dhe vetë ambasadori Lu, sikundër ndau shqetësimin për mungesën e vullnetit të mazhorancës për të miratuar aktet ligjore që do të ndalonin personat me precedentë kriminalë të garonin në zgjedhjet e 21 qershorit dhe të promovoheshin ne administratën publike.

Një vend të rëndësishëm në këtë takim zuri dhe situata parazgjedhore në Shqipëri. Basha theksoi se dyshja Rama-Meta ka nisur të ngrejë skemën e blerjes së votave, duke u bërë presion të hapur drejtorëve te administratës publike, për të blerë votat dhe për të marrë vota me çdo mënyrë.

Kryetari i PD-së shprehu shqetësimin edhe për dhunën e ushtruar ndaj anëtarëve dhe simpatizantëve të PD gjatë tubimeve elektorale. Basha solli në vëmendje rastin e Durrësit, ku militantët e PS dhunuan anëtarë të PD-së, rastin e Ersekës ku u tentua të goditet kryetari i opozitës, rastin e Malësisë së Madhe, ku pas takimit elektoral, policia ushtroi kontrolle ndaj simpatizantëve të PD-së.

Tentativa e mazhorancës për asgjësuar pushtetin vendor ishte një tjetër çështje e diskutuar në takim, gjë që sipas Bashës po dëmton procesin normal zgjedhor. Hapi i parë i kësaj përpjekje ishte harta elektorale, theksoi lideri i opozitës, ndërsa tani kryeministri ka nisur te kercenoje qytetarët, duke u thënë se nëse votoni kandidatët e PD nuk do të ketë investime, nuk do të ketë para, ujë, bukë etj.

Ndërsa, Kongresmeni amerikan Dana Rohrabacher theksoi se Kongresi Amerikan do të monitorojë procesin zgjedhor ndërsa garantoi se SHBA janë dhe do të jenë në mbështetje të një procesi demokratik, për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb