LEZHË

Kryedemokrati Lulzim Basha ka shpalosur para qytetarëve lezhianë, programin e Partisë Demokratike duke i marrë të gjitha shtresat dhe problemet e tyre me radhë. Basha tha se me PD në pushtet do të ketë ulje taksash që do shkojnë në funksion të rritjes së punësimit.

“Në fund të kësaj beteje e pret një qeveri dhe një kryeministër që do vendosë taksa më të ulëta në funksion të një prioriteti absolut të PD, punësimin, punësimin. Kjo është masa e parë stabilizuese por kemi një vizion të plotë për ta kthyer punësimin në një realitet të prekshëm.
Duhet ta kthejmë Shqipërinë në vendin më tërheqës për investimet e huaja. Potenciali është këtu. Evropa do ketë nevojë për 2 mln vende të reja pune. Duhet t’i japim fund korrupsionit, duhet të trajnojmë, në të gjitha fushat profesionistë”, deklaroi Basha.

Ai tha se vizioni nuk mjafton, duhet vullnet, që qindra mijëra studentë shqiptarë në kushtet më të zeza, të gëzojnë benefitet e buxhetit të shtetit që sot i gëzojnë 4-5 oligarkë. Kreu i PD tha se ata që duhet të kenë frikë nga ardhja e PD-së dhe opozitës në pushtet janë disa oligarkë.
“Sa është fatura e abuzimit të kësaj qeverie, vitin e kaluar 1.7 mld euro. Të vetmit që duhet të kenë frikë nga ardhja e PD dhe opozitës në pushtet janë ata 4-5 oligarkë të cilëve do tua marrim ato para për tua dhënë studentëve, të rinjve shqiptarë. Unë e di që kanë frikë dhe iu them bëni mirë të keni frikë sepse kjo do të bëhet me ndihmën e Zotit, bashkimin e shqiptarëve”, tha Basha duke theksuar se ato para do iu kthehen shqiptarëve.

“100 mijë fëmijë më pak se një vit më parë, 100 mijë vogëlushë të larguar që do të thotë se vetëm vitin e kaluar janë larguar 50 mijë familje. Rënia dramatike e prodhimit bujqësor ka çuar në braktisjen totale të fshatit. E vetmja qeveri do të hyjë në historinë e Evropës që shkatërroi skemën e subvencioneve. Rama bën selfie me Vuçiç, punë e madhe se fermeri serb i sjell prodhimet këtu e fermeri shqiptar jo. Moshës së tretë i them se nuk ka tërheqje pas, pensioni minimal 250 mijë lekë të vjetra në muaj. Kjo do të bëhet realitet për çdo pensionist”, premtoi Basha nga Lezha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb