TIRANË

Kryedemokrati Lulzim Basha pas kthimit nga Rrësheni e Burreli ka shkuar pranë protestuesve tek Teatri Kombëtar. Basha ka takuar artistët dhe qytetarë të tjerë që qëndrojnë prej orëve të paradites para Teatrit për të mos lejuar prishjen e tij.

Ai është informuar për gjendjen e protestuesve duke i inkurajuar të vazhdojnë rezistencën. Me të kanë qenë edhe përfaqësues të tjerë të opozitës. Nuk ka munguar as ish-ministri Gazmend Oketa.

“Të dashur bashkëqytetarë nga Tirana, kryesisht nga Tirana, por edhe nga e gjithë Shqipëria, pasi këtu kemi edhe qytetarë nga qendra të tjera të vendit.
Të dashur artistë, anëtarë të Aleancës për Teatrin,
Dua, së pari t’ju falenderoj nga zemra për shembullin e jashtëzakonshëm, heroik, evropian dhe qytetar, që i treguam sot mbarë botës me qëndresën tonë krah krenarisë tonë kombëtare, elitës së shpirtit dhe mendjes, Aleancës për Teatrin, aleancës me kauzën më fisnike dhe më qytetare që luftohet sot, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan e në Evropë, mirënjohje për sakrificën tuaj, zonja dhe zotërinj, artiste dhe artistë të ndertuar!
Ju jeni krenaria dhe frymëzimi, për çdo qytetar që e do Shqipërinë si Evropa, jeni krenaria dhe frymëzimi për rininë dhe për fëmijët dhe jeni, që sot e tutje, edhe etaloni i ri i qëndresës së pathyeshme të qytetarëve të bashkuar kundër së keqes.
Miqtë e mi, e kuptoj çlirimin dhe gëzimin e shumë prej jush dhe është plotësisht i përligjur për shumë prej jush që e nisët rezistencën që në orët e para të mëngjesit dhe nuk i jeni ndarë asnjë çast mbështetjes për artistët.
Kemi parë sot brutalitetin e një shteti mafioz dhe kriminal në shërbim të një hajduti psiqik, që për të vjedhur dhjetra millionë euro dhe për të pastruar paratë e drogës, do që të shkatërrojë gjithçka. Do që të shkatërrojë edhe këtë truall fisnik, këtë godinë që është më shumë se shtëpia e Teatrit Kombëtar, është kujtesë e trashëgimisë kulturore dhe është tregues i qytetarisë së Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë.”, deklaroi Basha.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(m.k/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb