TIRANË- Kryedemokrati Lulzim Basha u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë të bashkohen në protestën e 17 dhjetorit për largimin e qeverisë. Deklarata e kreut të PD-së vjen pas thirrjes që Rama lëshoi nga Saranda gjatë aktivitetit “Të pastrojmë Shqipërinë” ku tha se “PD duhet të ndahet nga kufoma që e mban peng”. Basha ka sulmuar kryeministrin Edi Rama që sipas tij kërkon të gjejë strehë në jug duke sulmuar veriun.

“I mbushur deri në fyt me mllef, urrejtje dhe përçmim për popullin e tij, njeriu që ndërtoi pa leje në mes të Tiranës simbolin e izolimit, terrorit dhe mjerimit, ky që bekoi sarajet pa leje të Kokëdhimës me shokë dhe dhjetëra ndërtime të tjera pa leje të familjarëve dhe klientëve të tij në mes të Parkut të Tiranës, në lulishtet e pallateve të Tiranës, në bregdet e kudo, ky që për vete ndërtoi një vilë bunker 56 metra të gjatë pa bërë asnjë transparencë para shqiptarëve, ky zhvatës përsëritës i përbuzur nga mbarë vendi e kombi, shpreson të gjejë strehë në jug duke sulmuar veriun, por me keq për të. Ai është njësoj i neveritur, kudo sepse prej dy vitesh shtyp e varfëron çdo shqiptar, në Vlorë, në Sarandë, në Shkodër, Tropojë, Elbasan e Durrës, Korçë e Lezhë”, deklaron Basha.

Sipas kreut të PD-së, kryeministri Rama është “një i paturp që tregon popullin me gisht si hajdut por për vete ndalon me ligj hetimin e vjedhjes së shekullit prej 600 milion euro, ky për të cilin raporti i punës së OSBE shkruan se ka një pasuri prej 200 milion euro, ky aksident i historisë sonë kombëtare me pasoja të rënda i fryu sot nga Bregu i shqiptarisë ndarjes dhe përçarjes midis shqiptarëve”.

“I tmerruar nga një popull i tërë që e njeh si përgjegjësin dhe shkaktarin e krizës më të thellë ekonomike dhe sociale në vend, i zgërlaqur nga mosbindja civile dhe protesta që sa vjen e rritet, ky që ka lënë në baltë gegë e toskë, demokratë e socialistë, ky që i lë ata të vetëvriten e të vdesin së ftohti për 3 mijë lekë por deputetët e tij kriminelë e kusarë i blaton përditë me tendera, koncesione, laguna, nafte, krom, kontrabandë cigaresh dhe emërime të paligjshme, ky pra kujton se do të gjejë shpëtim duke i fryrë përçarjes e dasisë”, shprehet Basha.

Në përfundim të deklaratës së tij, Basha apelon edhe njëherë shqiptarët për t’u bashkuar në protestë, për të ndalur qeverinë.

“Ngrihuni toskë e ngrihuni gegë, ngrihuni shqiptarë t’i tregojmë vendin. Vendimi për largimin e Edi Ramës është popullor, kombëtar dhe i pakthyeshëm! Të enjten më 17 dhjetor para Kuvendit! Shqipëria NGRIHET e nuk prapset. Të gjithë në shesh për të ndalur qeveri-fatkeqësinë”, deklaron Basha.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb