TIRANË

Kreu i PD-së Lulzim Basha iu ka bërë thirrjes socialistëve të ndalin krimin në kupolën e PS dhe të marrin drejtimin e partisë. Ai iu bëri thirrje socialistëve nga selia e PD në mbyllje të protestës, për dialog pa Ramën kryeministër për një qeveri tranzitore.

“Arrestoni krimin në kupolën tuaj, ndalni krimin në kupolën tuaj, merrni drejtimin e partisë, uluni në dialog pa Ramën kryeministër për një qeveri tranzitore e të vendosim së bashku standardin europian të zgjedhjeve. Nuk është vonë për ta shpëtuar PS-në nga krimi. Forcë që ta ndalë zemërimin popullor nuk ka dhe nuk do të ketë”, deklaroi Basha.

Ai iu tha protestuesve se është forca juaj që zgjoi vetëdijen e fjetur e të strukur nga terrori e propaganda.

“Është zëri juaj që kumboi nga Berlini në Bruksel, në Londër e Uashington dhe që e tregon qartë se kurrë jo popullit shqiptar, askush nuk mund t’ju vejë çizmen despotike orientale kriminale në qafë. Askush dhe aq më pak kreu i bandës kriminale në pushtet. Rama ik. Forca jonë, forca juaj sa vjen e shtohet, siç shtohen radhët e protestave tona, siç bëhet çdo orë e çdo ditë bashkimi ynë, bashkimi i shumicës morale, politike e njerëzore që është sot për Shqipërinë si gjithë Europa. ndaj vëllezër e motra sot kulari është në qafën e tiranisë, kulari nuk do jetë më në qafën e shqiptarëve do ta heqim me vendosmërinë tonë, derisa ta rrëzojmë tiraninë.

E sotmja është një mbrëmje e rëndësishme për betejën tonë, e duam Shqipërinë si gjithë Europa. E sotmja vazhdon deri në largimin e Edi Ramës dhe një qeveri tranzitore për zgjedhje të lira e të ndershme.

Unë e di zemërimin e zemrave që dhembin nga fëmijët e pabukë, nga prindërit e papunë, me dinjitet të nëpërkëmbur. Nga qindra mijëra të shpronësuar. Unë e di dhe e njoh dhimbjen tuaj. E kam prekur dhe prek çdo ditë. E di zemërimin tuaj të ligjshëm, ndaj jam në krahun tuaj”, deklaroi Basha.

Kreu i PD-së iu kërkoi protestuesve mirëkuptim për të mbyllur protestën pas vendimit të Presidentit Ilir Meta.

“Dua të kërkoj mirëkuptimin tuaj që kjo natë të mbesë me mesazhin e qartë dhe të prerë se shumica jemi ne, jeni ju se ne nuk do të hedhim asnjë hap pas deri në realizimin e objektivit tonë. Ne duam vlera e standarde europiane, duam zgjedhje të standardeve europiane. Shqiptarët duan e meritojnë qeveri europiane. Planet ogurzeza të provokatorëve të dhunës që edhe sot duan të ndalin trajektoren e pandalshme të ngjarjeve që sapo kanë nisur dhe do të çojnë në rrëzimin e tiranisë së krimit, gazin që hodhën mbi qytetarët krejtësisht paqësore dhe pa shndërruar në një natë dhune, për të tërhequr vëmendjen nga një bandë kriminale, kjo përpjekje dështon me turp, siç dështon me turp përpjekja për zgjedhje moniste kriminale, pas anulimit nga Presidenti të 30 qershorit.

Tani orët dhe ditët e ardhshme duhet të na gjejnë më në këmbë se kurrë, më të fortë se kurrë, më të vendosur se asnjëherë më parë për ta çuar këtë betejë drejt fitores totale.

Bisha e plagosur kriminale do p bëjë gjithçka për të ndalur grahmat e fundit të kufomës politike dhe kreu të bandës kriminale Edi Rama por si asnjëherë më parë tik-taku po dëgjohet e do dëgjohet edhe më fort deri sa gongu i lirisë dhe demokracisë të shtrijë përdhe tiraninë e krimit. T’u kthejë shqiptarëve gjënë më të shtrenjtë, votën e lirë pa të cilën nuk ka mirëqenie, nuk ka demokraci e zhvillim. Dua t’ju pyes, a jeni gati ta çojmë këtë betejë deri në fund, të bëjmë gjithçka për orën e lirisë së re. Zonja e zotërinj, gjithçka na ka bashkuar në këtë betejë është vlera. Njeriu nuk është asgjë në qoftë se nuk është vlera. jeni fisnikët e vlerave familjare, shqiptare, europiane, jeni çlirimtarët e Shqipërisë nga krimi. Kjo armatë lirie e demokracie ka bërë këto 4 muaj të paimagjinueshme për Tiranën por atë që sot ndjen çdo krijesë, kur njerëzit bëhen bashkë për kauzën e drejtë, nuk ka forcë që i ndal”, tha Basha.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb