Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka shkuar këtë paradite në Shkodër, ku po zhvillon një vizitë në Myftininë e qytetit verior, me rastin e festës së Fiter Bajramit.

Përpara se të hynte në mjediset e Xhamisë së Parrucës, ku ndodhej myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, kreu i opozitës ka takuar disa qytetarë shkodranë, të cilëve iu ka uruar Fiter Bajramin.

Pas takimeve në xhami, Basha ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për Fiter Bajramin, teksa e ka cilësuar këtë festën e madhe të shpresës dhe besimit.

“Nga zemra ju uroj të gjithë besimtarëve myslimanë, gjithë vëllezërve dhe motrave, gëzuar festën e Fiter Bajramit, festën e madhe të shpresës dhe besimit. Në veçanti uroj agjëruesit që kanë mbyllur një muaj sakrificash dhe sprovash. Zoti ua pranoftë agjërimin, lutjet, i begatoftë ata dhe familjet e tyre, e të gjithë shqiptarët. Zoti e bekoftë Shqipërinë”, ka thënë Basha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb