VLORË – Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha mbështet me forcë protestën e qindra banorëve të Vlorës, shtëpitë e të cilëve do të fillojnë të prishen që nesër nga INUK-u për t’i liruar vendin, ndërtimit të Rrugës Trans-Ballkanike. Duke shpërndarë nga Fb, mesazhin: “Jemi në krah të vlonjatëve. Mos të lëvizin nga shtëpitë pa folur drejtësia”, Basha ka argumentuar se vetëm diktaturat shkelin ligjin, shkelin mbi jetën dhe pronën e njerëzve.

DEKLARATA E PLOTË E Z.BASHA

“Bandat represive të Ramës po terrorizojnë mbi 500 banorë të Vlorës. 4 ditë kohë iu kanë dhënë të dalin nga shtëpitë e një jete, të ndërtuara 10 deri në 25 vjet më parë. Duan të shembin pa dëmshpërblim mbi 120 banesa dhe të flakin mes katër rrugëve fëmijë, pleq, burra dhe gra të pambrojtur.

Këto forca të shkatërrimit të pronës, të grupuara si ish-INUK, nuk funksionojnë në bazë të asnjë ligji. Kjo strukturë e jashtëligjshme ka shkatërruar pa asnjë vendim, pa asnjë letër shteti, mbi 350 milionë dollarë prona të qytetarëve në të gjithë vendin.

Jemi në krah të vlonjatëve. Të rezistojnë ndaj së keqes, të mbrojnë pronën dhe familjen. Mos të lëvizin nga shtëpitë pa vendime të institucioneve dhe pa folur drejtësia. Vetëm diktaturat shkelin ligjin, shkelin mbi jetën dhe pronën e njerëzve.

Kjo nuk do të tolerohet më në Shqipëri. Kemi luftuar në 20 vjet të shenjtërojmë pronën, të shenjtërojmë supremacine e qytetarit dhe jo sakrifikimin e tij për tekat dhe arrogancën e shurdhër të Ramës me kompani.

Partia Demokratike e siguron kryedhunuesin e ligjit dhe ushtarët e tij se nuk do t’i shpëtojnë drejtësisë. Ka ardhur koha të paguajnë për dhimbjet që po u shkaktojnë shqiptarëve. Të gjitha faktet dhe dëshmitë do mblidhen për një proces gjyqesor si nuk e ka parë kurrë historia e këtij vendi. Nuk do të shpëtojë asnjë birbo që zëvendëson shtetin ligjor me shtetin personal të dhunës dhe paligjshmërisë.

PROTESTA ME LUTJE DHE ARKIVOL

Protesta e zhvilluar sot nga banorët e lagjes “Kushtrim” në Vlorë ishte nga ajo pjesë e banorëve ende të palegalizuar, rreth 85 familje, që jetojnë në atë pjesë të qytetit ku do të kalojë Rruga Trans-Ballkanike. Sipas ligjit, ata nuk mund të shpronësohen nga Qeveria përsa kohë shtëpitë e tyre ende janë proces legalizimi. Dy ditë më parë ata u pritën nga kryebashkiaku Shpëtim Gjika, pasi hynë me forcë në bashki. Ai u premtoi se do t’i kërkonte Qeverisë të kapërcente ligjin, që i përjashtonte ata nga shpronësimi.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb