Ndërsa na ndajnë rreth dy javë nga zgjedhjet parlamentare, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kandidat për Kryeministër, tregon në një intervistë ekskluzive për gazetën “Panorama” se cilat do të jenë vendimet e javës së parë të qeverisë së tij.

Sipas kreut të PD-së, situata e vështirë ekonomike dikton që vendimet e javës së parë të qeverisë sime të jenë taksa e sheshtë 9% për biznesin e madh, tavani 0.5% e xhiros vjetore për biznesin e vogël me xhiro nën 134 milionë lekë të rinj në vit.

Po ashtu, një tjetër vendim i shpejtë i javës së parë do të jetë edhe heqja e taksës së qarkullimit, e pagëzuar nga demokratët si “Taksa Rama” që vilet 24 lekë për çdo litër karburanti. Në intervistën e mëposhtme, kreu i PD-së i ka kthyer përgjigje Kryeministrit Rama për akuzat e infektimit me Covid.

Ndërkohë, Basha zotohet se qeveria e tij do të përmbyllë procesin e vaksinimit të shqiptarëve më shpejt sesa po bëhet aktualisht dhe me vaksina të certifikuara nga Bashkimi Europian. Por një tjetër temë e rëndësishme në të cilën u ndal kreu i PD-së gjatë intervistës në Belsh ishte konfiskimi i pasurive të parregullta ndaj zyrtarëve të korruptuar.

Nisur nga rasti i fundit, ku Shqipëria u gjobit me 110 milionë euro për dosjen Becchetti, Basha deklaroi se qeveria e tij do të çojë në Parlament një ligj që gjoba të tilla do të paguhen nga fajtorët, në këtë rast nga Kryeministri Rama, kryebashkiaku Veliaj dhe sekretari i përgjithshëm i Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi.

z. Basha, për të respektuar vendin ku jemi, po e nis me një pyetje qe ka lidhje me zonën. Në qarkun e Elbasanit, në Dumre, është e zhvilluar bujqësia dhe argotizmi. Cilat janë angazhimet e programit të PD-së për këta dy sektorë?

Sektori i bujqësisë është sektori më i goditur nga keqqeverisja e këtyre 8 viteve. Shembulli më i pastër i kësaj është mungesa totale e subvencioneve. Po të krahasosh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, do të shohësh që këto dy vende me buxhete njësoj apo në rastin e Kosovës sa gjysma e Shqipërisë, mbështesin fermerin e tyre me afro 100 milionë euro në vit subvencione.

Ndërkohë, fermeri i Dumresë dhe fermeri shqiptar në 8 vite qeverisje të Ramës nuk ka parë asnjë kokërr leku. Prandaj, ndryshimi i parë që do të vijë është mbështetja financiare, duke rezervuar në 4 vitet e qeverisjes sonë të mandatit qeverisë një buxhet prej 100 milionë eurosh për mbështetje direkte për fermerët. Kjo do të thotë se ekipi ynë ka kalkuluar se sa euro do të paguajnë për çdo m2 për sera, sa euro do të paguhen për çdo hektar duhan apo për perimet apo për pemëtarinë. E njëjta gjë edhe për peshkimin dhe bletarinë dhe për agrobiznesin. Për përpunimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale. Sepse e njëjta gjë vlen edhe për blegtorinë, për mishin, për qumështin dhe çdo produkt tjetër.

Mbështetja e drejtpërdrejtë do ta fusë më në fund fermerin shqiptar në një cikël zhvillimi ku kostoja e inputeve bazë, si fara, fidanë, pesticideve, plehrave kimike dhe ulja e çmimit të energjisë me heqjen e “taksës Rama” 24 lekë mbi litër karburant do të ndikojë në uljen e kostos së tyre dhe futjen e produktit të tyre cilësorë me një çmim konkurrues në tregun shqiptar, ku në fakt sot konsumatori i varfëruar nga qeverisja Rama është i detyruar të blejë produkte më pak të freskëta, por që janë më pak të kushtueshme, sepse janë të subvencionuara. Pra, subvencioni për fermerët do t’i ndihmojë fermerët shqiptarë, familjen e tij që ta kthejë nga një aktivitet për të mbajtur frymën gjallë në një sipërmarrje që krijon fitime financiare për ata që jetojnë me bujqësi dhe blegtori dhe do të ndihmojë konsumatorin shqiptar duke i ofruar prodhime më cilësore me çmime më të arsyeshme.

Po në infrastrukturën bujqësore?

Hapi i dytë është një buxhet prej 50 milionë eurosh në vit për infrastrukturën rurale. Dhe me këtë kam parasysh gjithçka që ka të bëjë me aktivitetin rural. Që nga më elementarja, që është vaditja dhe kullimi. Kanalet e vaditjes në Pajovë ku janë bërë investime në kohën e qeverisjes së kaluar dhe kjo qeveri nuk ka bërë asgjë. Ka mbetur në vend. Është bllokuar funksionimi i kanaleve, të këtyre kanaleve kullimi.

Rrugët, kanalet e vaditjes, energjia elektrike, rrjeti i tregjeve, magazinimi e përpunimi do të ndihmohen nga grante dhe subvencione nga këto 50 milionë euro. Shuma totale prej 150 milionë eurosh në vit do të vijë nga taksat e shqiptarëve. Ndërkohë që me Bashkimin Europian ne do të mundësojmë që me çdo euro që hedhim ne, do të hedhin edhe ata një euro ose më shumë. Kjo do të thotë që edhe BEja, që ka fonde të shumta për fermerët, shikojnë çfarë bëjnë qeveritë e këtyre vendeve.

Më 25 prill për fermerin e Dumresë dhe fermerin shqiptar në tërësi ndryshimi do të marrë formën e mbështetjes direkte financiare dhe investime konkrete që do të mundësojnë prodhime me kosto të ulët dhe fermeri shqiptar do të kalojë nga stadi i mbijetesës në një shtresë të mesme. Duke pasur parasysh të ardhura mesatare mbi 1 milion lekë në muaj.

Jemi dy javë nga zgjedhjet dhe ju tashmë keni prekur thuajse çdo cep të Shqipërisë. Nga ajo që keni parë gjatë kësaj kohe, çfarë ju ka bërë përshtypje dhe përbën emergjencë që do të diktojë vendimin e parë të qeverisë suaj?

Ajo që prek është urgjenca për ndryshim. Çdo fushë e jetës është goditur rëndë nga keqqeverisja në këto 8 vite. Çdo fushë e jetës. Pa diskutim, ajo që është goditur është ekonomia. Kjo vihet re te papunësia në rritje, te kostoja e jetës në rritje dhe te çmimet e papërballueshme e taksat e larta. Prandaj, ekonomia është në fokusin tonë. Vendimet e para kanë të bëjnë me paketën ekonomike, kanë të bëjnë me taksën e sheshtë 9% për biznesin e madh. Me tavanin 0.5% për biznesin e vogël, që do të jetë çdo biznes me xhiro nën 14 milionë lekë të rinj në vit. Kanë të bëjnë me uljen e detyrimeve shoqërore në nivelin 18%, nga 24.5% që është aktualisht. Ka të bëjë me heqjen e “taksës Rama” mbi karburantin që në javën tonë të parë.

Karburanti në Shqipëri që në javën tonë të parë do të jetë i krahasueshëm me çmimin e karburantit në rajon, sepse ne do ta heqim atë taksë 240 lekë për litër që paguajmë në qeverisjen Rama. Paketa e ndihmës fiskale për ekonominë do të jetë vendimi i parë, së bashku me disa hapa që do të hidhen për disa nga urgjencat e tjera të shoqërisë, që kanë të bëjnë me shëndetin e tyre, kanë të bëjnë me pandeminë, me ndihmën ndaj sektorit shëndetësor dhe ndihmën për familjet që nxjerrin miliona nga xhepi për të kuruar të afërmit e tyre. Për ta, ne po përgatisim një paketë ndihme.

Tre ditët e fundit keni përmendur se do të amnistoni gjobat e OSHEE-së për familjet dhe bizneset e vogla. Mund ta shpjegoni se kush do të përfitojë nga kjo amnisti? Si do të bëhet?

Ka sot mbi 330 mijë familje që i paguajnë OSHEE-së çdo muaj 25 mijë deri në 28 mijë lekë të vjetër në muaj. Këto janë fatura për disa pagesa të faturave të prapambetura të disa viteve më parë. Por dua ta theksojë që në nisje që kjo nuk është një amnisti për të mospaguar energjinë elektrike. Ne do të vendosim një fashë ku 300 KV/orët e para për muaj do t’i paguajë me një çmim më të ulët sesa është sot. Kjo do t’u vijë në ndihmë familjeve me të ardhura të pakta. Por fatura e energjisë duhet të paguhet. Problemi është se Rama premtoi uljen e çmimit të energjisë elektrike, por në fakt e rriti atë dhe kur familjet nuk e paguanin dot, ai u vuri atyre lakun në fyt në formën e këtyre marrëveshjeve që kanë shkaktuar fatkeqësi të mëdha, duke shkaktuar humbje jete dhe vetëvrasje.

Këto janë krime të rënda në kurrizin e familjeve shqiptare. Prandaj, ajo që kam shprehur është amnistia e këtyre pagesave të prapambetura, sepse në radhë të parë, është plotësisht e mundur kur t’i presim pagesat ndaj klientëve të korruptuar të kësaj qeverie, ndaj pronarëve të inceneratorëve dhe të PPP-ve dhe koncesioneve. Ne do të mundësojmë që paratë që kanë shkuar në këtë drejtim, të shkojnë tani drejtpërdrejt në drejtim të qytetarëve, si për rritje pensionesh, të pagës minimale, ulje të taksave dhe amnistia për pagesat e mbi 330 mijë familjeve që kanë detyrime të prapambetura me kusht që të vazhdojë pagesën rregullisht të energjisë elektrike.

Kryeministri Rama ju akuzon juve, z. Basha, se përhapni infeksionin me Covid-19 në takimet që bëni. Ndërkohë, nga ana tjetër, ai shprehet se nëse ai ikën nga drejtimi i qeverisë, Shqipëria do të mbesë pa vaksina. A keni ju një kundërpërgjigje për këtë?

Kjo është gjëja më qesharake, por në të njëjtën kohë, gjëja që tregon se në çfarë pike ka rënë Kryeministri në ikje. Çfarë do të bëjë me vaksinat?! Do t’i marrë në Surrel? Vaksinat janë të shqiptarëve, paguhen me lekët e shqiptarëve. Me qeverisjen time dhe falë ndihmës bujare nga shtetet perëndimore që më kanë vënë 4 ekspertë perëndimorë, ne do të sjellim vaksina të certifikuara perëndimore dhe në përputhje me standardet e OBSH-së dhe jo vetëm që nuk do të bjerë, por do të shtohet ritmi i vaksinimit.

Por ama jo me detyrim e jo me mungesë transparence, sepse e kanë shkatërruar besimin e publikut shqiptar te vaksinat. Por duke u shpjeguar qartë se nga po vijnë vaksinat dhe pse janë të sigurta. Duke i sjellë ato dhe duke u treguar se ato po paguhen me taksat e shqiptarëve. Jo vetëm që do të sigurojmë vaksinimin e popullatës, por do ta bëjmë atë me transparencë dhe do ta përmbyllim shumë më shpejt sesa kjo qeveri, që si në çdo fushë, dështoi me turp edhe në menaxhimin e pandemisë me kosto të madhe.

Siç është bërë e ditur tashmë, Shqipëria ka marrë një gjobë tjetër të majme nga arbitrazhi për çështjen “Becchetti” (110 milionë euro), por kjo nuk është e vetmja. Por këto gjoba rrezikojnë që të kthehen në një barrë për qeverisjen e ardhshme. E keni menduar ju si do ta zgjidhni këtë çështje?

Ne do të kalojmë në Parlament një ligj ku në raste të tilla, si në rastin Becchetti, ku dosja tregon qartë që është faji i Edi Ramës, Erjon Veliajt, Ëngjëll Agaçit dhe një sërë zyrtarësh të shtetit. Edhe gjoba do të paguhet nga fajtorët dhe jo nga populli. Sigurisht që nuk do të paguhet nga paratë që marrin nga rroga. Sepse po të ishte vetëm për rrogat, nuk do të kishin trefishuar pasuritë e tyre sipas ILDKPI-së. Por në të vërtetë ata nuk i kanë trefishuar, por i kanë qindrafishuar. I kanë kthyer në pasuri të patundshme. Shumë prej kullave që ndërtohen në Tiranë kanë bashkëpronarë qeveritarët e korruptuar të Tiranës. Shumë prej ndërtimeve në bregdet kanë bashkëpronarë qeveritarët e korruptuar të Tiranës. Kanë konto bankare në emrin e tyre dhe të tjerëve nga Qiproja në Hong-Kong, në Singapor dhe në ishujt “Kayman”.

Siç tregon edhe DASH-i, janë ndër qeveritarët më të korruptuar në botë. Çfarë po bëjmë ne për këtë?! Prej vitit 2018 jam në kontakt me autoritetet e specializuara dhe kam kërkuar ndihmën e tyre. Përfshirë edhe Europol, që kanë mekanizma të sprovuara për të gjurmuar këto pasuri dhe për t’ia kthyer shoqërisë që i janë vjedhur. Garancia që u jap shqiptarëve është se ne do të nisim procesin e gjurmimit të pasurive të zyrtarëve të korruptuar shqiptarë dhe fatura e Becchetti-t nuk do të paguhet nga taksapaguesit, por do të paguhet kur të kemi konfiskuar pasuritë e zyrtarëve të korruptuar. Paratë e taksapaguesve do të shkojnë për taksapaguesit. Ndërsa qeveritarët e korruptuar dhe ortakët e tyre në krim nuk do t’i gëzojnë këto para./Panorama.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb