Nga: JORGJI KOTE*
Siç është bërë e ditur, më 20 prill, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati nënshkroi në Washington Deklaratën mbi Partneritetin Strategjik SHBA- Shqipëri. Në vijim të angazhimeve të përbashkëta të ndërmarra në Samitin e Natos-s në Wellsh vitin e kaluar, ky dokument në fakt rinovon partneritetin e deritanishëm strategjik ndërmjet dy vendeve, këtë radhë në kushte cilësisht të reja ndërkombëtare; ai përfshin aspektet dypalëshe, rajonale dhe globale.
Ky partneritet fokusohet në intensifikimin e bashkëpunimit SHBA-Shqipëri, së bashku me BE-në dhe me aleatë të tjerë në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe në nisma të tjera për paqe, stabilitet, siguri dhe demokraci. Ka shumë arsye dhe faktorë që dëshmojnë për vlerat e spikatura të nënshkrimit të këtij dokumenti të rëndësishëm me një lider botëror të sprovuar si SHBA. Ato mund të jenë objekt i analizave të mëtejshme, por në mënyrë të përmbledhur po i përmendim më poshtë.
Në planin dypalësh, kjo deklaratë parimore ka një sfond historik dhe përmbajtje substanciale. Si çdo dokument i këtij formati, ai konfirmon intensifikimin e mëtejshëm të dialogut politik dypalësh gjatë kohëve të fundit për çështjet më të mprehta të politikës ndërkombëtare.
Dikush mund të mendojë se këtu nuk ka ndonjë gjë të re, sepse niveli i këtyre marrëdhënieve mund të merret si i mirëqenë. Por dihet se në këtë trajektore bashkëpunimi model, nuk kanë munguar as dritëhijet. Këtu nuk është fjala për 45 vitet e diktaturës, por edhe gjatë këtyre 20 viteve të fundit. Mjafton të kujtojmë ngjarjet e hidhura të vitit 1996-1997, kur drejtuesit më të lartë të shtetit dhe qeverisë së asaj kohe shpërfillën në mënyrë të çuditshme e fare të pajustifikueshme sugjerimet dashamirëse të SHBA-ve, si në planin dypalësh, ashtu edhe në kuadrin e OSBE-së lidhur me zgjedhjet parlamentare të 26 majit 1996. Këto raste u përsëritën edhe në ngjarjet e shtatorit 1998. Në vijim, në kundërshtim me etikën diplomatike dhe frymën e këtyre marrëdhënieve janë anatemuar pa të drejtë disa ambasadorë të nderuar amerikanë.
Rinovimi i partneritetit strategjik nënkupton se qëndrime të tilla tashmë i takojnë të kaluarës; ai konfirmon bindshëm vullnetin e qeverive të vendeve tona për t’iu ndodhur njeri-tjetrit pranë në çdo kohë, “me diell dhe me shi”. Vlen të theksohet se kjo marrëveshje u nënshkrua në kuadrin e një vizite zyrtare në Washington të shefit të diplomacisë sonë, e para e kësaj natyre gjatë 5 viteve të fundit. Në këtë kuadër, në shenjë të seriozitetit të politikës dhe diplomacisë sonë, përpara se të hidhte firmën në këtë dokument strategjik, kryediplomati shqiptar inauguroi rihapjen e selisë së rikonstruktuar të ambasadës tonë në Washington. Për 10 vite me radhë, ajo kishte mbetur si çiban i keq në mes të metropolit diplomatik amerikan, kryesisht për shkak të mungesës së vëmendjes dhe përgjegjësisë nga administrata e mëparshme.
Ky partneritet strategjik i ka rrënjët e tij të ngulitura fort në miqësinë e vjetër, solidaritetin dhe bujarinë e popullit amerikan dhe simpatinë mbarëpopullore shqiptare për ta. SHBA me metropolet e saj është “selia” e institucioneve të nderuara historike shqiptare; aty kanë jetuar, banojnë dhe kanë bërë emër me mijëra bashkatdhetarë. Aty kanë shkëlqyer me gjeninë e talentit të tyre personalitete, shkencëtarë dhe artistë të shquar shqiptarë, si Belushi, Dragoti dhe tashmë diva e jonë e operas botërore Ermonela Jaho e të tjerë.
Partneriteti amerikano-shqiptar shkon shumë më larg se suaza dypalëshe. Kjo merr rëndësi të veçantë sot kur përshkallëzimi i aktivitetit të terrorizmit ndërkombëtar, të përfaqësuar rrezikshëm nga ISIS, tentativat e qarqeve ekstremiste për radikalizimin e shoqërive në vende të ndryshme perëndimore e sidomos rininë, etj., i kanë ballafaquar SHBA-të dhe aleatët e saj me disa nga sfidat më të mëdha qysh nga periudha e mbarimit të Luftës së II Botërore. Helmi propagandistik, kërcënimet dhe atentatet vrastare të ISIS dhe terrorizmit ndërkombëtar në përgjithësi janë shigjetuar në radhë të parë kundër SHBA-ve si dhe vendeve të BE-së. Kjo për faktin se me gjithë problemet e shfaqura në një botë komplekse të globalizuar, SHBA-të së bashku me BE-në mbeten modele dhe kampionë të vlerave më të mira të demokracisë, miqësisë dhe sigurisë ndërkombëtare. Ndaj në këto momente historike, të jesh pranë SHBA-ve, si partner strategjik i tij është jo vetëm mesazh i fuqishëm solidariteti nga një popull i vogël, por me vlera të mëdha si i yni, por dhe hapi i duhur madhor politik dhe diplomatik ndaj SHBA-ve, komunitetit progresiv ndërkombëtar dhe qytetërimit perëndimor.
Për më tepër që SHBA-të kanë ditur të vlerësojë përherë mbështetjen e çdo vendi, të madh e të vogël. Por, në rastin tonë, një mirëkuptim dhe mbështetje e tillë strategjike ndaj SHBA-ve vjen nga një vend me tradita të lashta e të pashuara pro-amerikane, ish-kryeministri elitar i të cilit gati 100 vjet më parë siguronte shqiptarët me vargjet monumentale “nëno moj, mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë”; këto mesazhe miqësie vijnë nga një vend, që me gjithë persekutimin dhe izolimin e pashembullt gjysmëshekullor, asnjëherë nuk i ndau sytë e mendjes e nuk i humbi shpresat te populli mik amerikan; ndërsa tani bëhet fjalë për një vend anëtar i NATOS dhe kandidat në BE. Ndaj dhe skeptiku më i madh do të pohonte me plot gojën vlerën madhore politike të këtij dokumenti, për tani dhe të ardhmen. Ja pse, menjëherë pas nënshkrimit, Victoria Nuland, zyrtarja e lartë e Departamentit amerikan të Shtetit, një ndër dashamirëset e spikatura të vendit tonë, e shprehu më së miri këtë realitet me shprehjen popullore se “miku i mirë njihet në kohëra të vështira”.
Sa për reciprocitetin dhe bujarinë amerikane ndaj miqësisë së popullit tonë, ato i gjen me bollëk nga amerikani më i thjeshtë te Presidenti Willson më 1919 e deri në ditët tona, te pasardhësit e tij të shquar, Bush, Clinton, sërish Bush dhe Obama dhe te mjaft personalitete të tjera të larta. SHBA kanë qenë dhe mbeten avokatja dhe mbështetësja më e fuqishme e reformave tona madhore, e procesit historik të integrimit euro-atlantik dhe evropian, e çlirimit të Kosovës nga thundra e shovinizmit serb të Millosheviçit dhe pavarësisë së saj, etj.
Partneriteti shqiptaro-amerikan ka rëndësi të madhe edhe në rrafshin rajonal. Përvoja e 25 viteve të fundit ka treguar se me gjithë rritjen e ndjeshme të demarsheve nga ana e BE-së dhe aktorëve të tjerë në rajonin tonë, roli dhe efektiviteti strategjik i SHBA-ve në rajonin tonë mbetet i pazëvendësueshëm. Ndërkohë, Shqipëria me politikën e saj moderuese dhe faktori i qenësishëm shqiptar mbeten përherë jetikë dhe të vlerësuar. Veçanërisht tani kur në rajonin tonë po vërehen disa hapa dhe lëvizje të paqarta e të dyshimta në fushën e politikës së jashtme, nga brenda dhe nga jashtë.
Pas një përparimi të pamohueshëm në drejtim të integrimit Euro-Atlantik në rajon ka ndonjë vend që duket se hera-herës tundohet dhe joshet nga koniunkturat e çastit, që në vend të parimeve strategjike e sheh më të udhës të ndjekë taktika për fitime të shpejta financiare, duke u ulur në “dy karrige” apo duke “ngrënë me të dyja lugët”. Ndodh kështu, sepse harrohet që partneriteti strategjik dhe integrimi Euro-Atlantik nuk është “pazar” apo “bursë mallrash” që të “kuotojë dhe kontabilizojë” aksionet spekulative, por shans i artë i përfitimit të vlerave dhe parimeve më të mira të paqes, stabilitetit dhe demokracisë së qëndrueshme.
Ndryshe ndodh me Shqipërinë, e ka ndarë mendjen në favor të partneritetit strategjik me aleatët tanë më të mëdhenj, SHBA-të dhe BE-në, me popujt dhe vendet demokratikë e progresive, pa bërë asnjë pazar me të. Krahas forcimit dhe zgjerimit të marrëdhënieve me të gjitha vendet, me hapa konkrete e jo vetëm me fjalë, vendi ynë ka dëshmuar se “busulla” orientuese dhe kursi i saj i palëkundur është Perëndimi, me vlerat e tij më të mira dhe përfaqësuese. Veç të tjerash, ai ka nxjerrë mësimet e duhura nga historia e 70 viteve të fundit dhe kostot e parikuperueshme të ujdive të dyshimta dhe të çastit.
Fusha e veprimit të partneritetit shqiptaro-amerikan shtrihet dhe në planin global, në përpjekjet e përbashkëta të gjithë komunitetit ndërkombëtar, të udhëhequr nga SHBA, kundër terrorizmit, ekstremizmit, tentativave për agresione dhe cenimin e integritetit territorial të vendeve të tjera, fondamentalizmit dhe sfidave të tjera si klima, energjia, mirëqenia sociale, etj.
Edhe para se të bëhej anëtare e NATO-s, Shqipëria ka qenë politikisht dhe ushtarakisht në anën e SHBA-ve, të BE-së dhe gjithë komunitetit ndërkombëtar në vatrat më të nxehta të krizave në gjithë globin. Por, ajo tashmë ka shumë vlera dhe përvoja të tjera për të ofruar dhe shpalosur. Një ndër to është bashkëjetesa fetare. Pa mohuar mangësitë e rastit, bashkëjetesa jonë fetare përbën një realitet pozitiv të spikatur, të cilin kë vend për ta bërë shumë më tepër të njohur. Ajo i shërben dhe rritjes së profilit dhe imazhit të vendit tonë në botë, në një kohë kur grindjet, konfliktet dhe radikalizimi për shkaqe fetare “po bëjnë kërdinë”.
Me të drejtë institucionet përkatëse dhe diplomacia jonë po investohen gjithnjë e më shumë në këtë fushë, ku gjithsesi mundësitë e sidomos kërkesat janë shumë më të mëdha. Jehona dhe mbresat që lanë liderët e komuniteteve tona fetare në Marshimin e Paqes në Paris në janar të këtij viti apo në raste të tjera e kanë nxjerrë më shumë në pah këtë domosdoshmëri. Kujtdo që i bie rasti të ketë kontakte me qytetarë të huaj të thjeshtë e sidomos në kancelaritë perëndimore, sheh se ata kërkojnë të dinë më shumë dhe madje mrekullohen nga ky realitet pozitiv dhe frymëzues në këto kohëra të turbullta. Siç na sugjerojnë plot miq dhe dashamirës të huaj, kjo harmoni dhe bashkëjetesë fetare përbën një ndër asetet tona më të vyera për t’ia ofruar komunitetit ndërkombëtar.
Ndaj ato figurojnë edhe në marrëveshjet përkatëse; sepse tashmë, ndryshe nga më parë, partneriteti strategjik po përfshin përherë e më shumë “fuqinë e butë dhe inteligjente” (hard&soft power). E kemi fjalën për forcën joshëse, tërheqëse, bindëse, pa të cilën as armët dhe ushtritë më moderne nuk do të kishin efektin e dëshiruar.
Krahas elementëve të tjerë të rëndësishëm, faktet dhe faktorët e lartpërmendur mjaftojnë për të dëshmuar rëndësinë e partneritetit strategjik me SHBA-të dhe vendet e tjera partnere. Këtë e konfirmoi vetë Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, gjatë konferencës për shtyp me homologun e vet shqiptar, kur e cilësoi 20 prillin, datën e nënshkrimit të saj si “ditë historike”.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: