Jo pak studentë dëshirojnë të bëhen sipërmarrës, pasi disponojnë potencialin, kanë pasion dhe janë të gatshëm të marrin përsipër riskun. Por opinioni nga ekspertët e fushës gjithmonë mbetet i rëndësishëm para hapave të tillë dhe universiteti “Luarasi” kujdeset më së miri për informimin dhe udhëzimin e të rinjve mbi të ardhmen profesionale. Studentët e “Luarasi” kanë patur mundësinë të bashkëbisedojnë mbi sfidat e të marrin këshilla nga ekspertët më të mirë me një eksperiencë 20-vjeçare në Holandë në fushën e sipërmarrjes.

Para studentëve të Teknologjisë së Informacionit e Inovacionit është lancuar iniciativa më e re e projektit “BE për Inovacionin”. Partnerët nga Qendra e Sipërmarrjes së Amsterdamit dhe Qendra e Transferimit të Teknologjisë pranë Universitetit të Amsterdamit, Eric Boer dhe Mirjam Leloux prezantuan programin 6 mujor që do të përmbajë një seri master-klasash. Eric Boer, në cilësinë e CEO së Qendrës së Sipërmarrjes në Amsterdam, tha se do të përpiqen të mundësojnë realizimin e projekteve të përbashkëta me universitetet shqiptare.

“Ne ndodhemi këtu për të vizituar universtetet shqiptare publike e private dhe të përpiqemi ti ndihmojmë ata për të ndërtuar kapacitete për sipërmarrje. Ne bëjmë konsultime dhe kemi 20 vite eksperiencë në sipërmarrje dhe inovacion në universitete dhe ne do ta përdorim këtë eksperiencë për të realizuar projekte së bashku dhe për ti ndihmuar universitetet shqiptare në ndërtimin e inkubatorëve dhe projekteve të sipërmarrjes. Dëshirojmë që të kemi sa më shumë studentë sipërmarrës në Shqipëri”, -tha eksperti holandez. Afrim Osmani, pedagog i Sipërmarrjes në Luarasi tregon se zhvillimi i teknologjisë dhe sipërmarrjes po ecën me ritme shumë të shpejta në këtë universitet. Ai shton se studentët kanë mundësi që të përqafojnë metodat më të mira europiane të mësimdhënies.

Eksperti holandez, Eric Boer ka vlerësuar dinamizmin e studentëve dhe pedagogëve të “Luarasi”. “Nga ajo çka kam parë sot, mendoj se universiteti Luarasi është një universitet shumë i mirë, i ri me studentë e pedagogë dinamikë të gatshëm për të krijuar dhe eksperimentuar programe të reja. Dhe e vlerësoj faktin që në Luarasi mësimdhënia bazohet në një kurrikul bashkëkohore që i vjen në ndihmë studentëve. Mendoj se kjo është një gjë shumë e mirë”, -shtoi Boer. Shkëmbimi i eksperiencave të tilla dhe përfshirja e Luarasi në program ka si synim kryesor inkurajimin e studentëve mbi sipërmarrjen.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb