Viti 2020 do kujtohet si viti kur më shumë se gjysma e globit përjetoi një situatë atipike si pasojë e pandemisë botërore të Covid-19. Nëse i referohemi statistikave të vdekshmërisë për 1 milionë banorë, disa vende patën dhe vijojnë të kenë shumë jetë të humbura, ndryshe nga disa të tjera që patën një kurbë më të stabilizuar të efekteve fataliste të këtij virusi, si rrjedhojë e masave të marra në kohën e duhur, ndërgjegjësimit të njerëzve, por padyshim edhe falë punës së shkëlqyer të stafeve mjekësore që ofrojnë kujdes të specializuar në rrethana kaq të pazakonta.

Qëllimi i këtyre rreshtave është për të nxjerrë në pah nga leximet e kësaj vere disa parashikime të përgjithshme që janë pjesë e analizave nga ekspertë të disiplinave të ndryshme e që lidhen me rrugën e rimëkëmbjes ekonomike, por edhe psikologjike, në kontekstin e një realiteti të ri.

Për një kohë të papërcaktuar do duhet t’i përshtatemi jetës së përditshme me një sjellje shumë vigjilente, e cila mbron shëndetin tonë në radhë të parë, por jo siç duhet “shëndetin” e ekonomisë. Kjo situatë parashikohet e tillë të paktën deri kur një zgjidhje e qëndrueshme dhe përfundimtare të sigurohet nga dalja e një vaksine, diçka që nuk pritet të ndodhë brenda këtij viti, referuar edhe deklaratave zyrtare të bëra nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Ekonomia globale po përballet me një tkurrje të madhe. Kriza e Covid-19 po e vendos vitin 2020 në kalendarin historik, si vitin kur bota pësoi recesionin më të madh ekonomik në historinë e pasluftës së Dytë Botërore. Sipas një analize të Fondit Monetar Ndërkombëtar, parashikohet që rritja globale në vitin 2020 të ulet me 2.8 përqind krahasuar me 0.1 përqind gjatë krizës financiare globale të vitit 2009.

Parashikimet e ekspertëve “pikturojnë” një pamje shumë të vështirë të ekonomisë botërore gjatë 18 muajve të ardhshëm. Si pasojë, pandemia kërcënon të zhbëjë dekada përparimi që kanë larguar miliona njerëz nga varfëria ekstreme. Qeveritë kanë reaguar me mbështetje financiare të paprecedenta, për të parandaluar dëme që mund ta përkeqësojnë situatën në të ardhmen. Sipas parashikimeve përllogaritet që në shumicën ekonomive më të përparuara, nivelet e borxhit të qeverive do të rriten me 10-20% të GDP së tyre deri në vitin 2021.

Fokusi për të garantuar një ekonomi që rritet me trend të qëndrueshëm ngelet mënyra më e mirë e zgjidhjes në terma afatgjatë, për të mos humbur më shumë vende pune dhe për të siguruar që qeveritë do vijojnë të financojnë shërbimet publike, duke përfshirë edhe përgjigjen e domosdoshme të kujdesit shëndetësor, jo vetëm në periudhën e krizës aktuale, por edhe si garanci për të ardhmen e panjohur nga rreziku i një vale të dytë që përflitet se mund të jetë edhe më e vështirë se e para.

Koha dhe shpejtësia e rimëkëmbjes ekonomike varet nga disa faktorë, si për shembull nga sa shpejt u hoqën kufizimet e mbylljes, nga sa kohë do të zgjasë distancimi social, nga efektet e injektuara në ekonomi prej ofrimit të paketave të mbështetjeve financiare si përgjigje monetare dhe fiskale nga qeveritë për biznesin dhe individët, si dhe më kryesorja nga shkalla e përhapjes së mëtejshme e Covid-19, që lidhet me sjelljen e njerëzve dhe që ndikon drejtpërsëdrejti në rritjen ose uljen e shkallës së transmetimit të tij.

Për shkak se do të duhet kohë për të zhvilluar dhe zbuluar vaksinën e shumëpritur, çdo dalje nga “korniza e kufizuar” e funksionimit të normalitetit tonë është e destinuar të ndodhë me një ritëm shumë gradual. Kohëzgjatja e kësaj krize do të varet nga sa shpejt ekonomia do “shërohet”. Evidencat statistikore tregojnë se sektorë të lidhur me industrinë ushqimore dhe prodhimin po rimëkëmben më shpejt. Por disa kategori të tjera biznesi do hasin vështirësi të konsiderueshme. Kjo është veçanërisht e dallueshme për sektorë si transporti ajror apo industria e turizmit, që sjellin si pasojë edhe ndikime negative për një zinxhir të tërë sipërmarrjesh të tjera, si bare, restorante, kinema, transport publik, shërbime në turizëm, industrinë e sportit, etj.

Sipas ekspertëve, një shqetësim shumë më i madh për qeveritë është politika makroekonomike, e cila duhet të harmonizohet me projekte strategjike dhe objektiva afatgjatë ekonomikë. Tani që kjo krizë e përgjithshme është një realitet prezent, politikat e shpëtimit dhe rimëkëmbjes duhet të hartohen në ato forma që mundësojnë arritjen e efektit maksimal pa shteruar në masë kritike paratë publike.

Në rastin e Shqipërisë, pas rënies së rritjes ekonomike të parashikuar deri në fund të vitit 2020 si pasojë e pandemisë Covid-19 dhe pasojave të tërmeteve të fundvitit 2019, rritja ekonomike pritet të kthehet në terma pozitivë përgjatë periudhës 2021-2023, falë ecurisë së pritshme në normat e konsumit të brendshëm, eksporteve dhe padyshim kontributit që po injektohet në ekonomi nga zbatimi i programit të rindërtimit, që do sjellë efekte të mira jo vetëm për punësime të reja, por edhe për krijimin e burimeve dhe potencialeve të reja duke siguruar në afatgjatë një zhvillim më të qëndrueshëm të ekonomisë lokale, sidomos në zonat e prekura nga tërmetet e fundit.

Pasojat e hapjes mbeten ende një eksperiment që po ndodh në kohë reale, të cilin në fakt e kemi kryesisht vetë në dorë të mos e përkeqësojmë, duke bërë maksimumin për të respektuar rregullat. Patjetër që sistemet efektive të shëndetit publik mund të zvogëlojnë rrezikun e shpërthimeve të reja, por vigjilenca sistematike përballë kësaj pasigurie të padukshme është jetike për muajt a ndoshta vitet e ardhshme. Duhet të jemi koshientë se edhe planet më të mira për administrimin e këtij “normaliteti të ri” mund të sjellin ngjarje të papritura në terren, duke detyruar qeveritë për rimbyllje të reja apo kufizime drastike të lëvizjes së lirë të njerëzve.

Ndaj është koha për kujdes të duruar duke qënë të përqendruar jo në përjetimin pesimist të kësaj krize, por në ato se çfarë mund të mësojmë prej saj, për të nxitur kërkimin e dritareve të reja që na mbajnë me optimizëm dhe ofrojnë siguri. Në të kundërt, kriza më e madhe që do të ketë efekte edhe shumë më të rënda, do të jetë kriza e përsëritjes së të njëjtës krizë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb