Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit bëri të ditur të martën se në Gjykatën e Vjenës në Austri, po zhvillohet një proces për ekstradimin e Stela Gugallës, ortake e vetme dhe administratore e shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k, e cila kishte fituar koncesionin për inceneratorin e Elbasanit. Ndaj saj është lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar, që dhjetorin e vitit 2021, kur u kryen dhe arrestimet e para, për çështjen e inceneratorëve, përfshirë ish ministrin e Mjedisit, Lefter Koka.

Gugallja, sipas mediave është bashkëjetuesja e Mirel Mërtirit, i konsideruar si truri që vuri në lëvizje të gjithë mekanizmin për ndërtimin e disa inceneratorëve në vend. Të dy, janë në arrati, sikundër dhe Klodian Zoto, ortak i vetëm dhe administrator i shoqërisë “Integrated Technology Services” sh.p.k e cila ndërtoi inceneratorin e Elbasanit dhe zotëronte dhe 70 përqind të aksioneve në inceneratorin e Fierit.

Prokuroria e Posaçme nuk përcakton se kur dhe në ç’rrethana kanë nisur procedurat e ekstradimit të zonjës Gugallja. Por avokati i saj Klodian Skënderi, i tha Zërit të Amerikës, se ka qenë vetë zonja Gugallja, që me një avokatin e saj janë paraqitur në policinë e Vjenës. Duke qenë në dijeni të urdhrit të arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet shqiptare, ajo e ka kundërshtuar atë.

Ka qenë ky hap i saj, që sipas avokatit duhet jetë ndërmarrë diku nga pranvera e vitit të kaluar, që ka nxitur procedurat e ekstradimit nga Gjykata e Vjenës, e cila ka marrë dhe të gjithë dokumentacionin e përgatitur nga pala shqiptare. Fakti që këto procedura kanë kohë që kanë nisur, duket se konfirmohet dhe nga formulimi i Prokurorisë së Posaçme, e cila për rastin shprehet se “deri në këtë moment nuk jemi njoftuar nga autoritetet austriake të drejtësisë për ecurinë e mëtejshme të procedurës së ekstradimit”.

Mbeten të paqarta arsyet e këtij akti, nga ana e zonjës Gugallja, por praktikat e ekstradimit mund të kërkojnë kohë, duke qenë se do të duhet të konfirmohen nga të gjitha shkallët e gjyqësorit. Ndërkohë ajo, siç e konfirmon dhe avokati Skënderi, është e lirë dhe pa asnjë masë shtrënguese nga autoritetet austriake.

Zonja Gugallja akuzohet për “Korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale apo të veprimtarisë kriminale” , kryer në bashkëpunim.

Prokuroria e Posaçme ka mbyllur deri tani hetimet për inceneratorin e Elbasanit dhe atë të Fierit, me 26 të pandehur, duke e çuar çështjen në gjykatë. Ndërsa vijojnë hetimet për rastin e Tiranës, por dhe aspekte të tjera që po heton në dosje të ndara./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: