Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe Komiteti Olimpik Hungarez nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi, ku në fokus nuk është vetëm eksperienca me sportistë dhe trajnerë, por edhe në menaxhim, infrastrukturë e fusha të tjera në lidhje me sportin.

Presidenti i KOKSH, Fidel Ylli, vuri theksin kryesisht te ligji hungarez për sportin, të cilin e quajti më të mirin në botë dhe që Shqipëria duhet ta marrë si shembull:

“Jam i nderuar nga vizita e delegacionit hungarez, mbi të gjitha për bashkëpunimin konkret mes dy komiteteve olimpike. Përveç trajnimit të sportistëve elitarë, apo eksperiencave të ndryshme me trajnerë, ne do të bashkëpunojmë në disa fusha të tjera që do ta ndihmojnë sportin, por mbi të gjitha, legjislacionin hungarez për sportin do ta marrin si model, pasi është më i miri në botë dhe duhet t’i referohemi patjetër. Jo më kot Hungaria ka arritje në sport, sidomos në Olimpiada, me medalje të shumta.”

Koksh

Presidenti i Komitetit Olimpik të Hungarisë, Krisztián Kulcsár, pasi falënderoi për mikpritjen, pohoi se bashkëpunimi me Shqipërinë do të jetë konkret në sport:

“Së pari, ju falënderoj për pritjen. Shqipëria është një vend me resurse, natyrisht edhe në sport. Shkëmbimi i eksperiencave në sport është shumë i rëndësishëm, ndihojmë njëri-tjetrin. Për shembull, Hungaria mund të rrisë nivelin e peshëngritjes apo të mundjes përmes trajnerëve dhe sportistëve nga Shqipëria. Por jo vetëm kjo, bashkëpunimi do të jetë edhe në menaxhim dhe infrastrukturë.”

Në takimin e përbashkët, i pranishëm ishte edhe presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi. Drejtuesit e Lëvizjes Olimpike të tre vendeve, Shqipëri-Kosovë-Hungari, u takuan me Kryetarin e Bashkisë Tiranë, me Ministren e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, dhe në fund Kryeministri Edi Rama do t’i presë në zyrën e tij.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb