Presidenti i Dhomës Amerikane, Enio Jaço foli në Asamblenë e Përgjithshme të AmCham për situatën në të cilën ndodhen bizneset sot.

Jaço tha se bizneset e AmCham po përballojnë me përpjekje madhore presionet globale, të cilat rëndojnë edhe më shumë situatën nga ekonomia e brishtë,  largimi i fuqisë punëtore dhe zvogëlimi i forcës konsumatore.

“Ne u goditëm me një sërë stuhish të reja dhe ekzistuese – duke përfshirë goditjet e post-pandemisë, ç’rregullimin dhe ndwrprerjen e zinxhirëve globale dhe lokale të furnizimit, inflacion nga me të lartët në 20 vitet e fundit dhe probleme të mëdha energjetike. Për të qenë të sinqertë, këto janë probleme globale, që përballen shumica e bizneseve në mbarë botën. Por e kombinuar me një ekonomi të brishtë lokale, me një ritëm të paprecedent emigrimi të fuqisë punëtore, dhe me një dobësim të ndjeshëm të fuqisë konsumatore, presionet tek bizneset tuaja janë bërë të jashtëzakonshme” tha Presidenti i AmCham.

Jaço tregoi se forcimi i marrëdhënieve tregtare të AmCham me partnerët ndërkombëtarë ka qenë transformues, ndërsa tha se frytet reale të këtyre përpjekjeve, do materializohen në 3-4 vitet e ardhshme.

Ai gjithashtu vuri theksin tek rëndësia e nxitjen së shkëmbimeve tregtare me SHBA dhe vendet e BE, si një faktor me rëndësi madhore për hapjen e bizneseve shqiptare drejt mundësive të mëdha por njëkohësisht edhe për thithjen e investimeve të reja.

“Ne besojmë se rritja e mundësive dhe krijimi i urave lidhëse për komunitetin e bizneseve me tregtinë në SHBA, në Europë është një model themeli për hapjen e bizneseve me tregun transantlantik, me benefit të qartë për rritjen e konkurrueshmerisë së bizneseve lokale, rritjen e investimeve të huaja dhe rritjen e ekonomisë shqiptare” u shpreh Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb