TIRANË

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ktheu sot për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për Bashkëqeverisje”, që sipas tij shkel Kushtetutën dhe autonominë e pushtetit vendor, krijon institucione paralele dhe mbivendosje kompetencash ndermjet tyre duke shkelur sigurinë jurudike, bie ndesh me Jurisprudecën e Gjykatës Kushtetutës, por edhe centralizon më shumë pushtet tek një institucion në varësi direkte nga Kryeministri.

Konkretisht një ndër argumentat ligjorë, që Meta thekson në dekretin e tij është se “Ligji për Bashkëqeverisjen”: “pavarësisht qëllimit të artikuluar mbi krijimin e hapësirës së nevojshme për qytetarët, grupet e interesit apo subjektet e tjera, për shprehjen e problematikave shqetësuese personale e më gjerë, por edhe të pikëpamjeve apo synimeve në përmirësimin e jetës në të gjitha aspektet e saj, vihet re një fenomen, ai i mbivendosjes së institucioneve dhe natyrshëm krijimit të konfuzionit mbi kompetencat respektive të tyre. Mbivendosja e kompetencave lëndore midis institucioneve edhe në një vend me demokraci të konsoliduar krijon tërësi problemesh lidhur me ligjshmërinë e legjitimimin, efektivitetin, e për rrjedhojë edhe me performancën e tyre”.

Gjithashtu Kreu i Shtetit argumenton se “Një sistem i unitetit institucional që po synohet të realizohet me anë të legjitimimit të Agjencisë, do të shërbejë për të rigrupuar edhe organet e pushtetit vendor në një autoritet të vetëm qendror, e në fund si produkt do të gjendet, vetëm centralizim i pushtetit duke homogjenizuar hapësirat institucionale.

Një parashikim i tillë në ligj bie ndesh me parimin e decentralizimit dhe të autonomisë së pushtetit vendor (edhe pse përmes parashikimit të nenit 52 të ligjit kjo hapësirë veprimi tentohet të “ligjërohet” sipas një marrëveshjeje që mund të lidhet midis Agjencisë dhe organeve të pushtetit vendor).

Edhe sikur organet e pushtetit vendor të pranonin të lidhnin marrëveshje siç parashikon neni 52-53 i ligjit, sërish do të ishim përpara situatës së shkeljes së parimit të autonomisë së këtyre organeve dhe rrjedhimisht shkelje të neneve 13, 108, 113 të Kushtetutës.

Është e kuptueshme dhe fakt që pas votimeve të 30 qershorit 2019 për organet e qeverisjes vendore, pa konkurrim dhe pa pjesëmarrjen e opozitës, tashmë pushteti vendor de facto ushtrohet tërësisht nga funksionarë të emëruar dhe që i përkasin politikisht 100 % të njëjtës forcë politike. Kjo gjendje është si për organin ekzekutiv vendor Kryetarët e Bashkive, ashtu dhe për Këshillat e tyre.

Kjo mund të ketë qenë dhe arsyeja që tashmë, me kalimin e dy viteve nga krijimi i kësaj gjendjeje, Këshilli i Ministrave që ka miratuar propozimin për këtë ligj, e ka humbur krejtësisht idenë mbi parimet kushtetuese që duhen respektuar, veçanërisht parimin se të zgjedhurit vendor dhe organet e vetëqeverisjes vendore duhet të jenë autonomë dhe jo të funksionojnë si organe në varësi të Kryeministrit”, argumenton Presidenti Meta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb