Në programin “Dola te Ola” këtë të diel ishte e ftuar këngëtarja e njohur e muzikës popullore Irini Qirjako.
Teksa rrugëtoi nëpër kujtime me anë të fotografive, këngëtarja e cilësoi fëmijërinë e saj si shumë të bukur, “Kam qenë shumë e qeshur dhe e dashur. Isha lidere që e vogël”.
Irini kujtoi marrëdhënien e ngushtë që ka patur me prindërit e saj, “Kur isha e vogël kisha një lidhje shumë të fortë me babanë tim, e doja dhe më donte shumë”. Ndërkohë që për nënën tregoi se ishte ajo që këmbënguli dhe e mbështeti kur asaj iu dha e drejta e studimit për në Liceun Artistik në Tiranë.
Këngëtarja tregoi se babai i saj ishte pak skeptik nëse ata do të mundeshin ta mbanin vajzën me studime në Tiranë pasi kishin 6 fëmijë, por mamaja e saj ishte e bindur që ata do t’ia dilnin. Më pas prindërit e këngëtares nuk paguan asgjë për studimet e saj pasi ajo ishte një studente shumë e mirë.
Irini gjatë studimeve edhe pse vetë nuk ishte për kanto, shkonte në çdo seancë pasi kishte shoqen e saj që ishte në atë degë. “Kam shumë kujtime të bukura në karrierën time”, tha këngëtarja me shumë nostalgji.
Moment shumë i bukur nga i cili Irini u emocionua ishte kur në studio ishte u shfaq një videomesazh nga këngëtarja Silva Gunbardhi, e cila i dedikoi disa fjalë zemre.
Këngëtarja foli edhe për marrëdhënien që ka me bashkëshortin e saj dhe mbështetjen e pakursyer që ai i ka dhënë asaj gjatë karrierës, “Ka sakrifikuar shumë”. Ata janë prindër të një vajze, e cila ka kryer studimet për mjekësi dhe jeton në Gjermani.
E pyetur se si do ta cilësonte rrugëtimin e saj në jetë, këngëtarja tha, “Jam e lumtur që jeta ime vajti dhe po shkon këngë”.
Gjithë rrëfimi në studio i Irini Qirjakos u shoqërua me muzikë të mirë dhe nga zëri brilant e i pakrahasueshëm i këngëtares, duke e bërë këtë program edhe më të bukur.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: