TIRANE- Bashkia e Tiranës shumë shpejt do të nisë punën për vendosjen e disa çezmave në zona të ndryshme të kryeqytetit. Pikënisje për këtë gjë janë bërë disa komentues në faqen sociale të kreu të bashkisë, Erion Veliaj, ku i kanë kërkuar që të ndërtojë disa çezma, ku qytetarët dhe turistët të kenë mundësi të freskohen gjatë ditëve të nxehta të verës.

“Si ka mundësi që në gjithë Tiranën nuk gjendet një çezmë publike ku qytetarët dhe turistët që e vizitojnë të kenë mundësi të freskohen. Në çdo kryeqytet eruopian ke çezma antike në qendrat e tyre”, ka komentuar një qytetar. Por nuk ka mbetur pa përgjigje, pasi edhe kreu i bashkisë, Erion Veliaj i ka thënë se brenda muajit në 10 zonat më të populluara të Tiranës do vendosen çezma. “Antike s’i gjejmë dot, por brenda muajit do kemi 10 pika uji të reja në pikat më të frekuentuara të Tiranës, flm, EV”, shkruan në faqen e tij në “Twitter”, Veliaj.

Sipas Bashkisë së Tiranës janë bërë disa propozime se ku duhet të vendosen këto çezma dhe disa prej zonave janë: sheshi mbrapa Pallatit të Kulturës, Lulishte “1 Maji”, Parku “Rinia”, sheshi “Shtraus”, sheshi “Garibaldi” në Kombinat, po ashtu një tjetër çezmë është parashikuar të vendoset në QSUT, te parku i Liqenit Artificial si dhe në Qytetin “Studenti”.

(b.e/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: