TIRANE- Bujqësia e zonave rurale në kryeqytet do të menaxhohet nga një strukturë e re, në përbërje të së cilës do të jenë përfaqësues nga Drejtoria e Bujqësisë dhe Bashkia Tiranë.

Poli i Bujqësisë për Tiranën do të jetë një strukturë që do të garantojë mbështetje për të gjithë fermerët dhe inkurajimin e zhvillimit të bujqësisë në bashkinë e re të Tiranës.

Kryetari i bashkise, Erion Veliaj dhe ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Edmond Panariti, në takimin e zhvilluar pak ditë më parë, kanë diskutuar për koordinimin e bashkërendimin e punës në ngritjen e poleve të bujqësisë në bashkinë e re të Tiranës, që synon mbarëvajtjen e zhvillimit të bujqësisë në këtë rajon, që është zgjeruar me plot njësi të orientuara drejt bujqësisë.

Bashkëpunimi mes dy institucioneve do të konsistojë në krijimin e një standardi të ri bashkëkohor në tregjet e reja të shitjes së fruta-perimeve, duke i dhënë fund kaosit të tregtimit në rrugë të produkteve bujqësore dhe blegtorale në kryeqytet.

Në planin e masave Bashki -Ministri parashikohet që bashkia e Tiranës të hapë tregje portative gjatë fundjavës, enkas për tregtarët e vegjël që vijnë nga periferia. Ndërsa projekti për ndërtimin e tregjeve të mirëfillta bujqësore dhe thertoreve për blegtorinë, do të sjellin një kulturë të re tregtimi, duke i shëndëruar këto njësi në të ardhura më të mëdha për fermerët dhe mundësi zhvillimi për këtë sektor.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: