NGA ARMIR MEHAJ*

PUKË- Turizmi malor është një ndër resurset që edhe pse natyra ja ka dhuruar Pukës, qeverisja qendrore dhe ajo lokale prej 25 vitesh nuk ja ka mundësuar kësaj zonë si pasojë e mungesës së investimeve në infrastrukturë.

Bashkia e Pukës prej ditësh ka filluar punën për lidhjen me rrugë automobilistike të brigjeve të liqenit të Komanit çfarë pritet të lehtësojë qarkullimin drejt zonës turistike.

Kreu i bashkisë së Pukës, Gjon Gjonaj ishte sot në Njësinë Administrative të Qelzës ku inspektoi punimet për hapjen e këtij segmenti, një ndër punët më të rëndësishme që  pushteti vendor duhet të kishte bërë prej 25 vitesh u shpreh numri një i bashkisë.

Kryebashkiaku Gjonaj bëri të ditur se ky ishte një zhvillim i qëndrueshëm, i cili i hap rrugë zhvillimit të turizmit malor, por njëherazi krijon mundësi për zbulimin e mrekullive natyrore që ka kjo zonë me liqenin e Komanit, shpella dhe objekte të tjera historike, çfarë e bëjnë atë mjaft atraktive. “Kjo ishte një ëndërr e kahershme që tashmë po bëhet realitet”, u shpreh Gjonaj, teksa bëri të ditur se investime të tjera do të bëhen gjatë vitit 2016 në drejtim të zhvillimit të Turizmit malor në Pukë.

Rruga prej 2.8 kilometër e gjatë krijon mundësi qarkullimi përgjatë gjithë vitit jo vetëm për banorët e Buzhalës, por edhe për turistët që frekuentojnë ujërat e Liqenit të Komanit.

Investimi po kryhet falë angazhimi vullnetar të disa kompanive që ju përgjigjen thirrjes së bashkisë për realizimin e projektit të rëndësishëm.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: