NGA ARMIR MEHAJ*

PUKË- Bashkia e Pukës ndodhet në kolaps të plote financiar dhe veprimet e vetme që mund të kryej janë pagat e punonjësve dhe asgjë më shumë. Shkak janë bërë sekuestrot e vendosura nga përmbarimi si pasoje e borxheve ndaj të tretëve që kjo bashki akumuloj gjatë mandatit të shkuar.

Kryebashkiaku i Pukës Gjon Gjonaj tregon se kjo situatë ka bllokuar ecjen përpara të qytetit dhe gjithë zonave të tjera të kësaj bashkie çfarë po bënë që Puka të mbetet në vendnumëro.

“E kam gjetur bashkinë me 600 milion lekë borxhe. I vetmi veprim financiar që mund të kryejmë janë pagat e punonjësve dhe asgjë më shumë. Janë tre sekuestro përmbarimore për shkak të borxheve ndaj të tretëve që kanë bërë të pamundur që të përdorim dhe fondet që kemi aktualisht në dispozicion”, thotë Gjonaj.

Kryebashkiaku i qytetit verior tregon se përballë kësaj situate, kërkohet ndërhyrja e  Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Prokurorisë për të parë se çfarë ka ndodhur në bashkinë e Pukës.

“Unë nuk kam asgjë më askënd, por di të them se bashkia e Pukës është përdorur si trampolinë nga paraardhësit e mi, për të blerë shtëpi në Tiranë. Këtë e tregon se asnjë nga kryebashkiakët e mëparshëm të Pukës nuk jeton më këtu. Me të dorëzuar mandatin janë larguar në Tiranë, gjë e cila dëshmon qartë se me sa dashuri kanë punuar për këtë vend. Unë kërkoj nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Prokuroria të fillojnë hetimet për të na treguar se çfarë ka ndodhur në të vërtet në kurriz të këtyre qytetarëve”, shprehet kryebashkiaku Gjonaj.

Puka renditet ndër bashkitë e varfra të Shqipërisë, ndërkohë që akumulimi i borxheve në  shifra të barabarta më buxhetin e dy viteve sëbashku po rëndon akoma më shumë situatën  çfarë ka bërë që drejtuesit e kësaj bashkie të mbeten me sy nga qeveria për të dal nga situata ku janë zhytur.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: