TIRANË- Bashkia e Tiranës ka vendosur t’i detyrojë qytetarët të paguajnë parkimin në çdo lagje. Projekti për t’ia dhënë gjithë kryeqytetin me koncesion një firme private është paraqitur sot në Këshillin Bashkiak për votim, por ka sjellë debate mes këshilltarëve të majtë dhe përfaqësuesve të Bashkisë së Tiranës. Këshilltarët e majtë e quajtën gjobë për qytetarët e Tiranës koncesionin. Ata deklaruan se nuk mund të jepet një koncesion 35-vjeçar në një kohë që jemi në tre muajt e fundit të mandatit. Sipas të majtëve Bashkia me dhënien në koncesion, rrezikon ta kthejë në monopol.Ndërsa nënkryetari i Bashkisë Enno Bozdo tha se kjo është një praktikë e njohur në të gjitha qytetet evropiane. Sipas tij koncesioni i një pjese të vendeve të parkingut bëhet për makinat që vijnë nga rrethet dhe jo për qytetarët e Tiranës. Megjithëse nënkryetari i Këshillit Bashkiak, Njazi Kosovrasti kërkoi që projekti të hidhej sot për votim, me kërkesë të kreut të grupit të këshilltarëve të majtë Genti Gazheli, votimi u shty për të enjten tjetër.

SALIANJI: PROJEKTI, GJOBË PËR QYTETARËT

“Ti shkosh banorëve nëpër lagje, nuk është shërbim, as ulje të ndotjes por gjobë. Zgjidhje për mua, kthimi dhe rishqyrtimi i këtij akti. Kreu i Bashkisë është në ikje, por ky koncesion është për 35 vjet, edhe pasi të ikë kreu i bashkisë. Në ikje mos lini gjëma mbrapa. Meqenëse nuk bëtë tramin mos lini këtë akt. Bëni studim më cilësore më të detajuar për këtë projekt”, tha këshilltari i majtë Eridian Salianji.

Enno Bozdo: Kapaciteti total është 42 mijë vende parkimi. 24 mijë në rrugët kryesore të Tiranës, bulevarde etj. Atje ku parkohen shumica e makinave që hyjnë nga rrethet. Mbi 100 mijë hyjnë nga jashtë Tiranës. Bashkia propozon që vetëm 7400 vende të jenë të rregulluara, të jenë me pagesë. Nuk po propozojmë diçka që nuk është dhe nuk është dëgjuar asnjëherë. Praktikisht po propozojmë që të rregullohet në masën 30% jo sheshet kryesore, jo rrugicat brenda pallateve, që nuk përdoren nga tiranasit, por nga ata që kanë punë përditë në Tiranë. Është një propozim që zgjidh disa gjëra dhe ndihmon në rritjen e të ardhurave për qytetin e Tiranës. Periudha e koncesionit nuk është kurrë 4 vite. Projektvendimi thotë, dyshemeja është 10%. Është kriter i pikëzuar i koncesionit. Unë kërkoj të maksimalizoj të ardhurat e mia, nëpërmjet investimit privat. Këtë nuk e kemi shpikur ne, çdo qytet evropian i ka parkimet e rregulluara. Është një praktikë e njohur. Ne mendojmë që kjo është një procedurë që do të çojë në hapjen e garës, të marrim ofertat. Dhe oferta më e mirë, do të shpallet fituese. Ne duhet ta bëjmë një procedurë të tillë, që edhe qytetarëve ti japim rregullin edhe të rrisim të ardhurat e bashkisë.

Eridian Salianji: A ka studim për këtë projekt?

Enno Bozdo: Studimi dhe propozimi është i vetë bashkisë.

Eridian Salianji: Çfarë ke studiuar tek “Rruga e Qelqit”, çfarë ke studiuar tek rruga “5 Maji”. Keni dalë ndonjë herë në Tiranë, a ka sheshe mes pallateve? Përveç ndërtimeve pa leje që ja latë trashëgim këtij qyteti doni ti lini edhe parkingjet me lekë. Doni të përfitojë bashkia apo xhepat tuaja. Bllokuat parkimet nëntokësore për interesat tuaja. Sot doni të shisni ajrin, po shisni ajrin. Doni të privatizoni pronën e qytetarëve.

Njazi Kosovrasti: Nga ky moment nuk kemi punë me asnjë nga subjektet. Ne nëse do i miratojmë, më pas shpallet një garë. Legjislacioni në fuqi ka rregullat e veta si zhvillohet kjo punë. Parkimet në Tiranë, janë problem, e kemi thënë edhe herë tjetër.

Florian Pullazi: Isha në Vjenë, parkingjet ishin të gjitha të bashkisë. Mos vallë kjo kompani do të krijojë një monopol në treg. Kush është kompania që ka sjellë studimin dhe a është e licencuar për të bërë studimin. Për një periudhë 35-vjeçare ne do të japim me koncesion ambientet e qytetarëve. Më duken shumë 35 vjet. Ju bëj thirrje të gjithë këshilltarëve të mendohen mirë.

Projektvendimi i dorëzuar këshilltarëve të këshillit Bashkiak propozon vlerësimin e formës dhe kritereve për këtë koncesion. Sipas këtij projektvendimi, koncesionari që do të marrë këtë shërbim, do ti paguajë bashkisë vetëm 10% të xhiros vjetore dhe ky është kriteri financiar. Ndërsa nga njëra anë solidarizohet me qytetarët për çmimet dhe taksat, në anën tjetër kryetari i bashkisë rrit barrën e pagesave.

Enno Bozdo: Sot është vetëm hapi i parë i një procedure shumë të gjatë. Është një projekt që duhet mbështetur. Tirana i vetmi vend që nuk e ka një projekt të tillë. Duam të rregullojmë këtë çështje që është bërë shqetësuese për qytetarët e Tiranës. Duhet që të ardhurat të shkojnë në infrastrukturë, rrugë, kopshte, shkolla. Hapja e garës ruan më së miri ruan interesin e qytetarëve të Tiranës.

Genti Gazheli: Në emër të grupit kërkoj shtyrje të vendimit, të na lihet më shumë kohë për të shqyrtuar projektin. Kërkoj edhe një javë kohë.

35 vjet me koncesion për rreth 24 mijë vendparkime publike dhe banorët e Tiranës, duhet të paguajnë kudo tarifë parkimi edhe në lagje, pranë banesave të tyre.
Por bashkëngjitur në projektvendim caktohet edhe pagesa për orë që qytetarët duhet paguajnë, duke variuar sipas zonave të parkimit. Për zona të cilësuar prioritare që ndodhen në qendër, qytetarët duhet të paguajnë 150 lekë për 2 orë parkim ndërsa për zonat që janë më larg qendrës, duke parashikuar edhe parkimet në lagje, pagesa shkon deri në 20 lekë.
Referuar analizës së bërë, në Tiranë ekzistojnë 23 456 vendparkime në rrugë, 13 937 vendparkime në sheshe dhe 4 497 vendparkime në garazhe private. Këtë koncesion e kundërshtojnë edhe qytetarët e Tiranës.
“Mendoj se nuk është një gjë e mirë. Qytetarët që nuk kanë mundësi të paguajnë parkingjet private do jenë kundër këtij fakti. Plus që në njëfarë mënyre e politizon këtë punën e parkingjeve. Jam kundër kësaj gjëje.
Nuk është mirë, të kenë edhe vende publike. Njerëzit e thjeshtë duhet të kenë parkingje publike. A ka mundësi të jetë çdo gjë falas për popullin. Ka kosto të lartë. Këtu çdo gjë ndodh”, janë shprehur qytetarët e Tiranës.
Shpenzimet e Bashkisë për këtë shërbim në total janë 35 mln lekë në vit, ndërsa koncesioni ul shpenzimet nga buxheti i bashkisë me 40%.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb