Dallëndyshe Bici akuza Bashës pasi u padit nga Bashkia e Tiranës: Personalisht, për hir të qytetarëve të Tiranës, dëshiroj të mos dëgjoj shprehje të tilla “çke me të, ai bukë me kos po ha”, referuar kryetarit të bashkisë pra. Reagon Bashkia: Gjuha e Bicit, treguesi ku është katandisur INUK.

TIRANË – Bashkia e Tiranës ka bërë kallëzim në Prokurori për drejtoreshën e INUK, Dallëndyshe Bici “Për kallëzim të rrezmë”. Pikërisht kjo padi ngjalli reagimin e drejtoreshës së INUK e cila replikoi me Bashkinë e Tiranës dhe nuk kurseu disa shprehje në drejtim të kryebashkiakut Basha.

Kallëzimi i Bashkisë është mbështetur në nenin 305 të ligjit në të cilin thuhet: “Kallëzimi për kryerjen e një krimi që dihet se nuk është kryer ose për kryerjen e një krimi nga një person që dihet se nuk e ka kryer atë, si edhe krijimi i provave të rreme, me qëllim që të bëhen ndjekje penale, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.”

Sipas bashkisë, kallëzimi për Dallëndyshe Bicin u shtohet kallëzimeve të tjera të zyrtarëve të lartë, siç është ai për ministrin e Mirëqenies Sociale Erjon Veliaj, për ndërtim pa leje dhe Ministrit të Financave Shkëlqim Cani, për shpërdorim flagrant të detyrës. Ministri Cani, në kundërshtim flagrant të ligjit ka bllokuar që prej një viti pagesat ndaj dy kompanive të cilat operojnë dhe ndërtojnë dy vepra madhore të qytetit të Tiranës: bulevardin e Tiranës dhe lumin e Tiranës.

Për bllokimin e punimeve në bulevardin e ri të Tiranës është në proces gjykimi dhe ish kreu i Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Zyhdi Dajti.

DALLËNDYSHE BICI: “VAJMEDET PËR LULIN TONË, AS TËRHEQ E AS LËSHON”
Pas padisë që ka depozituar Bashkia e Tiranës, vjen edhe reagimi i Dallëndyshe Bicit, e qujtur edhe si zonja e hekurt e INUK. Ajo i quan shpifje akuzat që bëhen në drejtim të saj dhe thotë se Bashkia e kryeqytetit është kthyer në një vend ku askush nuk punon

“Prej disa javësh ka nisur një fushatë e ashpër kundër Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, e cila është intensifikuar ditët e fundit, duke kaluar tashmë në sulme personale ndaj titullarit të këtij institucioni. Unë kam preferuar të mbaj një profil të ulët publik, sepse konsideroj se ne, punonjësit, jemi në shërbim të institucioneve të shtetit dhe jo shteti në shërbimin tonë. Duke pasur parasysh këtë moto timen, jam shfaqur në publik vetëm kur është kërkuar prania ime. Por sot e shoh të domosdoshme të reagoj personalisht, sepse akuzat, shpifjet, balta e hedhur mbi punën e institucionit që drejtoj dhe mbi mua, po kalon në absurditet. Ka filluar nga bashkia e Tiranës. Pavarësisht se INUK vepron vetëm në bazë të ligjit, komunikon vetëm me shkresa zyrtare dhe zbaton çdo instancë ligjore, nga ana e bashkisë së Tiranës, nuk vijnë kurrë përgjigje dhe bashkëpunim që i nevojitet qytetarëve, por veç akuza, fjalë, baltë, e çdo lloj haluçinacioni. Personalisht, për hir të qytetarëve të Tiranës, dëshiroj të mos dëgjoj shprehje të tilla “çke me të, ai bukë me kos po ha”, referuar kryetarit të bashkisë pra. Më mirë do të preferoja shprehjen “kush ha bukë, bën dhe thërrime”, por me sa duket kryetarit tonë të bashkisë nuk i bën fajde asnjë shprehje e urtë shqiptare, si nga ato që të tallin dhe nga ato që të mburrin. Kështu që “vajmedet për Lulin tonë, as tërheq e as lëshon”. Bashkia është kthyer në një vend misterioz ku askush nuk punon, por pas katër vitesh premtojnë gjurmën e tramvajit. Keqardhje për këto vite të humbura”, shprehet Bici.

Bici sqaroi më tej se, “Vazhdojnë pastaj me akuza personale, dhe ndaj institucionit që drejtoj, deputetë të ndryshëm, madje edhe në seancën e fundit parlamentare. Mund të na thonë zotërinjtë dhe zonjat, “Si” ta bëjmë punën tonë pa shkaktuar dhembje aspak? INUK nuk punon me pambuk, por me fadroma dhe INUK është institucioni i fundit që vepron. Pse këta zotërinj nuk u bëjnë njëherë të vetme thirrje qytetarëve, të zbatojnë ligjet në fuqi, madje të nxitojnë t’i zbatojnë ligjet. Ato ligje që ata I miratojnë, megjithëse as i lexojnë. Unë zbatoj ligjet e shtetit shqiptar dhe do të lutesha që emri im, të mos bëhej pjesë e lojës politike. Ndërsa nëse cdokush ka ankesa ndaj institucionit që unë drejtoj, punës që është bërë dhe si është bërë, ka organe të tjera që mund të merren. Nuk e kuptoj se si mund të bëhet politikë me institucionet shtetërore, që sipas konceptit tim, janë të qytetarëve që zgjedhin edhe këta njerëz për t’i drejtuar, e që më pas i thonë vetes politikanë. Nuk e kuptoj si bëhet politikë duke përbaltur institucionet. Do të isha e lumtur që deputetët e çdo lloj krahu të ishin në mbështetjen tonë, sepse do të ishin në mbështetje të qytetarëve. Së fundmi është edhe dikush që përbalt pa ndalim çdo ditë, i cili arritjen më të madhe në jetë ka të qenët dhëndër i dikujt. Më duket ofendim për inteligjencën e shqiptarëve t’i jap çdo lloj përgjigje”.

REAGON BASHKIA: GJUHA E BICIT, TREGUESI KU ËSHTË KATANDISUR INUK
Deklarata e kreut të INUK, Dallëndyshe Bici ngjalli reagimin e menjëhershëm të institucionit të Bashkisë së Tiranës. Duke shënjestruar Dallëndyshe Bicin, Bashkia shprehet se INUK është bërë skutë ordinerësh të korruptuar.

“Gjuha ordinere e drejtueses së INUK është treguesi më i sinqertë i katandisjes së institucionit në një skutë ordinerësh të korruptuar me në krye Dallëndyshe Bicaj, Ergys Hoxhën dhe Edi Ramën”, thuhet në reagim.

Më tej Bashkia shton se, “Shkatërrimet selektive me urdhër politik, gjobat korruptive që vilen përmes përmbarimit personal të drejtoreshës, si dhe mbrojtja e ndërtimeve të paligjshme të miqve dhe klientëve të kryeministrit, janë krime të rënda, për të cilat herët a vonë do përgjigjen para ligjit”, thuhet më tej.

(ma.ar/ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb