TIRANE- Shumë shpejt Tiranës do t’i shtohet edhe një park i ri. Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, shpalli sot vendimin për zhvillimin e parkut të dytë të Tiranës në Vaqarr, i cili do të shndërrohet në një hapësirë të shkëlqyer argëtuese për banorët e kryeqytetit. Gjatë prezantimit të administratorit të njësisë Vaqarr, Genti Myrtaj, i shoqëruar edhe nga kryetari i Këshilli Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi, Veliaj njoftoi nisjen e punës për krijimin e parkut në këtë zonë të re, e cila i është bashkuar Tiranës me reformën territoriale.

“Sot e shpallim park të Bashkisë së Tiranës këtë hapësirë të gjelbër, të cilën po e marrim në ruajtje për ta zhvilluar në një park ku ekzistojnë 97 ha me pisha dhe një rezervuar”, u shpreh Veliaj.

Më tej, ai sqaroi se ky park do të jetë i dyti pas atij të Liqenit Artificial të Tiranës, për t’i dhënë qytetit një hapësirë tjetër të gjelbër, veçanërisht banorëve të njësive 6 dhe 7, duke theksuar se njerëzit kërkojnë më shumë parqe se sa beton.

“Synimi ynë është që zonave të Vaqarrit dhe Kombinatit t’u kushtojmë këtë park, si një frymëmarrje e re për qytetin, një vend çlodhës dhe argëtues. Do të jetë detyra juaj që të ndihmoni, së bashku me ne, për mundësinë e investimit. Kjo se nuk ka dhuratë më të mirë për Tiranën e re, se sa kthimi në park i këtij pylli, i cili falë meritës suaj është ruajtur nga ndërtimet dhe abuzimet”, deklaroi kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Veliaj tha se 97 hektarë të këtij parku janë një hapësirë për rreth 97 mijë banorë që kanë shumë nevojë për hapësira të gjelbra.

“Më vjen mirë që ky park i ri i Bashkisë së Tiranës do të jetë në dispozicion për një kohë të shkurtër. Do jetë detyrë e njësisë administrative që të ndjekë procesin e projektimit, financimit, investimit, që shumë shpejt t’i Tiranës një park për të cilin njerëzit kanë shumë nevojë”, tha Veliaj.

Më herët, kryetari i Bashkisë së Tiranës prezantoi administratorin e Njësisë Administrative të Vaqarrit, Genti Myrtaj. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë takim, Veliaj la disa porosi siç ishin standardi i njëjtë i shërbimeve me njësitë e tjera, përgatitja për aksionin e pastrimit të Tiranës më 4 shtator dhe ushtrimin e autoritetit mbi territorin. Në këtë takim, kryebashkiaku theksoi rëndësinë e shpalljes së parkut të Vaqarrit.

“Ambicia ime është që, përveç parkut të Liqenit Artificial dhe parkut të Vaqarrit, të kemi edhe parkun e Kasharit, parkun e Farkës dhe të Dajtit, për t’u siguruar që në fund të mandatit tonë Tiranës t’i lëmë 5 parqe”, deklaroi Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës theksoi rëndësinë e krijimit të marrëdhënieve të forta me komunitetin. Ai kërkoi nga drejtuesi i njësisë administrative që të angazhohet në gjetjen e mundësive të reja të zhvillimit, për ta kthyer këtë zonë në fokusin e investitorëve, por edhe të qytetarëve që mund të vijnë për të blerë produktet bio të zonës.

(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: