TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar në orët e pasdites së sotme një maratonë takimesh me deputetët socialistë të 12 qarqeve, në kuadër të përzgjedhjes së kandidatëve për zgjedhjet vendore. Të fundit që ka takuar kanë qenë deputetët e Tiranës, me të cilët kreu i PS-së ka diskutuar për emrat e kandidatëve për bashkinë e kryeqytetit.

Nuk ka informacione se çfarë kanë propozuar deputetët, por nga kontaktet me ta ka rezultuar se ndajnë mendime të ndryshme mbi kandidatin që do të përfaqësojë Tiranën.

Në përfundim të takimit, deputeti socialist Fatmir Xhafaj tha se “procesi i përzgjedhjes së kandidatëve është shumë i rëndësishëm, për këtë arsye do të merren parasysh gjithë faktorët e mundshëm. “Kriteret pastaj janë çështje e brendshme e partisë”, ka deklaruar Xhafaj.

Ndërkohë, nga burime brenda PS-së, mësohet se deputetët janë të ndarë përsa i përket kandidaturave të mundshme të Erjon Veliajt, Pandeli Majkos dhe Blendi Klosit për Tiranën.

Vlen të theksohet se menjëherë pasi kanë dalë nga selia e PS, deputetë të qarqeve të ndryshme nuk kanë dhënë emra. Dy aleatët e koalicionit qeverisës, Edi Rama dhe Ilir Meta, në ditët e ardhshme mund të bëjnë një dalje të përbashkët publike për të shpallur kandidatët.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: