TIRANË- Të gjithë fëmijët e çerdheve të kryeqytetit do të marrin një pako dhuratë nga Bashkia e Tiranës. Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Nevila Xhindi, me rastin e festave të fundvitit shpërndau dhurata vogëlushëve të çerdhes nr. 52. Xhindi tha se edhe pse në kushtet e një bllokimi financiar, Bashkia e Tiranës nuk ka harruar për asnjë moment prioritetin e saj për kujdesin ndaj fëmijëve të kryeqytetit të Tiranës.

“Bashkia e Tiranës ka kaluar një vit të vështirë financiar dhe një vit bllokimesh të njëpasnjëshme. Por asnjë ditë, asnjë moment, nuk kemi lënë pas dore si pjesë e listës së prioriteteve të Bashkisë së Tiranës, vogëlushët e çerdheve dhe të kopshteve. Sot për këto vogëlushë dhe çerdhe, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me fondacionin “SFI” shpërndan disa dhurata, kemi sjellë 2400 pako për të gjithë fëmijët e çerdheve”, tha Xhindi.

Pakot që do t’u shpërndahen fëmijëve janë mundësuar nga fondacioni zviceran “SFI” dhe janë dhuratë nga fëmijë të vendeve të BE. Më tej gjatë këtij aktiviteti, nënkryetarja e Bashkisë Tiranë, tha se këtë vit është rritur edhe numri i kujdestareve nëpër çerdhe. Në përfundim Xhindi u ka uruar Vitin e ri të gjithë fëmijëve dhe prindërve të tyre.

“Ne sivjet, këtyre pakove i kemi shtuar edhe ju kemi rritur numrin e kujdestareve nëpër çerdhe, kemi shtuar ditëngrëniet, kemi shtuar kujdesin, cilësinë e ushqimit dhe këto pako janë vetëm qershia mbi tortë në këtë ditë feste. Ndaj unë sot erdha këtu për të shpërndarë vetëm disa nga pakot, në ditët në vazhdim do të kemi pako të tjera në çerdhet e Tiranës. Faleminderit fondacionit. Gëzuar Vitin e Ri fëmijëve dhe prindërve të tyre që na besuan në këtë vit shkollor. Faleminderit, gjithë të mirat!”, deklaroi nënkryetarja Xhindi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb