TIRANË – Bashkia e Tiranës i ka cilësuar si “dy karikatura të Edikaturistit”, Artan Lamen, kreun e ALUIZNI-t dhe Artan Shkrelin, këshilltarin e Kryeministrit, pas akuzave që këta dy të fundit ngritën sot në drejtim të Bashkisë së Tiranës se po jep leje ndërtimi për qëllime elektorale.

Në deklaratën e saj, Bashkia bën të qartë se “këta bashkautorë të betonizimit të Tiranës gjatë 11 viteve nga Edi Rama janë përgjegjës për dhjetëra leje korruptive që u dhanë pa asnjë plan urban dhe në kundërshtim me ligjin. I vërsulen pronarëve dhe zhvilluesve të Tiranës dhe për interesa të ulëta dhe korrupsion të pastër u bllokojnë paligjshmërisht leje 100 për qind në përputhje me ligjin dhe planin urban të Tiranës.”

Sot, Lame dhe Shkreli denoncuan sot në një konferencë për mediat, lejen e ndërtimit që bashkia ka dhënë për një pallat në rrugën e Elbasanit.

DEKLARATA E PLOTË E BASHKISË SË KRYEQYTETIT
Dy karikaturat e Edikaturistit edikaturuan edikaturen e radhës. Këta bashkautorë të betonizimit të Tiranës gjatë 11 viteve nga Edi Rama janë përgjegjës për dhjetëra leje korruptive që u dhanë pa asnjë plan urban dhe në kundërshtim me ligjin. Sot, këto karikatura të Edikaturistit janë përgjegjës për shkatërrimin selektiv të pronave të shqiptarëve.

Veliaj ndërton pa leje në qendër të Tiranës, ndërtuesi i vilës së Ramës ngre dy vila brenda parkut të Liqenit dhe nuk u hyn gjemb në këmbë. Për të mbuluar zullumet e tyre dhe për të mbushur xhepat me gjoba korruptive i vërsulen të pamundurve të cilëve u premtuan legalizim falas dhe se nuk do t’u prishte njeri pronën, edhe po të ngrihej Merhumi nga varri.

I vërsulen pronarëve dhe zhvilluesve të Tiranës dhe për interesa të ulëta dhe korrupsion të pastër u bllokojnë paligjshmërisht leje 100 për qind në përputhje me ligjin dhe planin urban të Tiranës i cili pas largimit të Edi Ramës dhe shpurës së tij korruptive nga Bashkia u bë më në fund realitet. Ka ardhur e po kalon koha që ligji të veprojë me forcë mbi këta gjobvënës të korruptuar deri në palcë.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb