TIRANE – Për festën e Bajramit të Madh, Bashkia e Tiranës shtroi sot një drekë të veçantë për disa dhjetëra familje në nevojë dhe persona me aftësi ndryshe, në mensën sociale në Laprakë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, teksa shërbeu drekën së bashku me një grup të rinjsh, i uroi të pranishmit “Gëzuar Fiter Bajramin” dhe theksoi se bashkia do të shtojë vëmendjen e saj për njerëzit në nevojë, duke hapur mensa të tjera sociale në qytet, veç atyre në Kombinat dhe Laprakë.

“Dua që t’ju uroj mbarësi dhe begati në familjet tuaja. Sot është një ditë e shenjtë, është dita e Bajramit dhe dua që, ashtu siç jemi mbledhur sot bashkë, të jemi bashkë gjatë gjithë vitit, në të gjitha ditët, për të kuptuar se njerëzit kanë nevojë çdo ditë për mbështetje”, tha Veliaj. Ai shtoi se puna më e rëndësishme për një bashki nuk janë llaçi, tullat, asfalti, por puna me njerëzit. Kryebashkiaku Veliaj tha se Bashkia e Tiranës, për t’i qëndruar pranë njerëzve në nevojë, ka vendosur që të hapë mensa sociale edhe në lagje të tjera të kryeqytetit, ashtu siç bëri në një vit në Kombinat dhe Laprakë.

“Dua që ashtu siç hapëm këtë mensë sociale apo mensën tjetër në Kombinat, të vijojmë me hapjen e mensave të tjera sociale që askush në Tiranë të mos e ngrysë ditën pa ngrënë një vakt të ngrohtë. Do të doja shumë që ky muaj solidariteti, muaji i Ramazanit, të vazhdojë në të gjitha ditët e vitit, sepse kemi nevojë për solidaritet edhe në 11 muajt e tjerë”, u shpreh Veliaj. Kryetari i Bashkisë së Tiranës u shpreh se bashkia do të mbështesë edhe nismat që synojnë t’i vijnë në ndihmë familjeve në nevojë, në mënyrë që vëmendja ndaj tyre të zgjatet gjatë gjithë vitit.

“Do përkushtohemi që të jemi aty për çdo familje në nevojë dhe dua t’u bëj thirrje atyre qytetarëve që i kanë mundësitë; nëse dikush ka mundësi të ndihmojë fqinjin e tij, një të afërm, një të njohur, është shumë e rëndësishme që secili ta marrë detyrën e bujarisë dhe ndihmës ndaj tjetrit, pa pritur urdhrin apo komandën e shtetit, qeverisë apo Bashkisë”, përfundoi Veliaj.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: