* Mungesa e politikanëve shqiptarë në Srebrenicë? Diplomacia është më normale kur gjendet pranë dhimbjes, ka qenë e dëshirueshme që ne të ishim atje
* Thaçi nuk u lejua për shkak të presionit të Srpska Republica 
* Masakra, qasja e komunitetit serb nuk ka ndryshuar
* Vuçiç nuk u qëllua me gur por me plisa dheu nga varret e të vrarëve prej serbëve

TIRANË- Një shqiptar në 20-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës risjell për publikun shqiptar disa të vërteta të pathëna nga Srebrenica ‘vulëhumbur’. Ai është shkrimtari, gazetari, regjisori dhe publicisti Bashkim Hoxha. Nga studioja e News24, Hoxha rrëfen detaje tmerrësisht të veçanta të ceremonisë së zhvilluar në 20-vjetorin e masakrës së Srebrenicës, ku ishte një nga shqiptarët e paktë që mori pjesë. Madje edhe për incidentin e kryeministrit serb Aleksandar Vuçiç dhe takimin me ish-presidentin e SHBA-ve, Bill Clinton.

Bashkim Hoxha e quan gati-gati të qëllimshëm kalimin e kryeministrit Vuçiç përmes varrezave të të vrarëve nga serbët, ku u qëllua nga një banor. Ai tregon se Vuçiç nuk u qëllua me gur por me plisa dheu nga varret e të vrarëve nga serbët. Një detaj sa rrëqethës aq edhe domethënës.

“Lidhja ime me Srebrenicën është e hershme. Vajtja në Srebrenicë ishte tronditëse, jo vetëm nga pikëpamja emocionale por edhe tek raportet që ofronte. Përsa i përket romanit “Hotel Ballkan” është shumë i zbehtë përpara asaj që ka ndodhur në Srebrenicë.

Ne nuk e kemi parasysh përmasën e madhe të masakrës që është bërë atje. Ajo është një gjenocid. Ishin 60 mijë veta që merrnin pjesë në ceremoni. 8436 burra dhe djem të varrosur. Unë udhëtova me konsullin e Bosnjës dhe bashkëshorten e tij dhe një student në Zagreb, pjesëtar i komunitetit boshnjak në Durrës. Ai më ka ndihmuar edhe me përkthimet”, tregon Hoxha.

Më tej ai thotë se ishte e vështirë të gjeje Srebrenicën, pasi sapo hyje në Srpska Republica nuk ka asnjë tabelë që të tregon drejtimin që duhet të ndjekësh për të shkuar atje. Por ajo që sipas gazetarit Hoxha, binte më shumë në sy ishte mohimi që pjesëtarët e komunitetit serb i bënin Srebrenicës.

“Mjafton të futesh në Srpska Rebublica por nuk ka asnjë tabelë ku gjendet vendi Srebrenicë. Këdo që pyesnim bënin sikur nuk e dinin ku ishte Srebrenica. Ishin pjesëtarë të komunitetet serb. Vetëm në kthesën e fundit ishte një tabelë. Është një ndjesi komplekse. Qasja e komunitetit serb nuk ka ndryshuar dhe në të njëjtën kohë është diçka që e frustron komunitetin serb”, tha ai.

Për sa i përket deklaratës së Vuçiç, që e quajti “krim monstruoz”, sipas Hoxhës ky është një minimizim i asaj që ka ndodhur, duke risjellë në kujtesë një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për ta quajtur gjenocid.

“KS pati një rezolutë për ta quajtur gjenocid, por nuk u votua sepse Rusia vuri veton. Në ceremoni shpesh herë u përmend fjala Gjenocid. Përkujtimorja zyrtare u bë në një vend diplomatik. Dy ditë para përkujtimores në Serbi ishte ndaluar një manifestim i pacifistëve serbë që do të përkujtonin masakrën në Srebrenicë. Edhe Vuçiç reflektonte atë që mendonin edhe qytetarët e thjeshtë”, thotë Hoxha.

Ai deklaron se Vuçiç edhe mund ta kishte shmangur vajtjen tek varret e mbi 100 të vrarëve, trupat e të cilëve ishin gjetur së fundmi, duke shpjeguar etapat e ceremonisë.

“Ishte e panevojshme që Vuçiç të shkonte përmes atyre nënave, para varreve hapur. E them këtë pasi ceremonia kaloi në 3 etapa. E para në një hangar ku shoqata “Nënat e Srebrenicës” u vendosnin lule të gjithë të pranishmëve, e kishin si shenjë edhe për të komunikuar në atë ambient. Hyje në hangar dhe atje ishte ndërtuar një ambient, ku dëgjoheshin zhurmat e klithmat e kohës. Ishte një kinema ku shfaqeshin momente nga masakra e Srebrenicës. Ishte edhe një ekspozitë me pjesë të gjetura dhe fotot e të rinjve të vrarë. Ishte edhe një libër përshtypjesh. Kjo ishte para orës 11. Pas kësaj ore, të gjithë këta u futën në një pjesë ku u mbajtën fjalimet. Pra ceremonia zyrtare mbaron pa hyrë tek varrezat. Tek memoriali me emrat e të vrarëve, nuk kishte njerëz. Më pas duhej të kaloje në një luginë përmes varreve. Mund të them se ishte një gjest i bërë më shumë enkas nga ana e Vuçiç. Në media është ekzagjeruar, nuk u qëllua me gur por me plisa dheu nga varret e të vrarëve prej serbëve. Ceremonia vazhdoi fare normalisht. Çdo delegacion shkonte tek memoriali. Ne shkuam pas Prokurorit të lartë të Hagës, Vuçiç pas nesh. Në momentin që Vuçiç hyri mes varesh, u gjuajt me sandale. Fjala turp u dëgjua gjatë gjithë kohës që Vuçiç kaloi mes atyre varreve, ku nënat prisnin të varrosnin të afërmit e tyre”, rrëfen Bashkim Hoxha.

Më pas Hoxha tregon edhe për takimin me ish-presidentin amerikan, Bill Clinton, i cili sapo ka dëgjuar emrin “Shqipëri” nuk ka mundur të fshehë entuziasmin duke u shprehur se “Shqipërinë e ka në zemër”.

“Takova zotin Clinton, ishim tek pjesa e 3 e ceremonisë, isha pranë tij dhe ndoqëm ceremoninë. Pati mjaft njerëz që e takuan. Para meje ishte Tania Fajon, më pas shkova dhe unë dhe i thashë “Jam nga Shqipëria”. Sa e dëgjoi u kthye nga unë duke buzëqeshur dhe më tha “Shqipërinë e kam në zemër” dhe unë i thashë edhe “shqiptarët ju duan dhe ju respektojnë, tregon Hoxha.

Mungesën e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, Hoxha tha se moslejimi i tij, është për shkak të presionit të Srpska Republica. Por nuk ka justifikuar mungesën e politikës dhe udhëheqësve shqiptare.

“Presioni i Srpska Republicas, ndoshta për këtë arsye nuk u lejua Thaçi. Shtypi shkroi që do të vinte Edi Rama, ne u kemi dërguar ftesa na thanë. Më pas thanë do të vinte Ministri i Jashtëm, por nuk erdhi asnjë delegacion nga Shqipëria. Mendoj se diplomacia është më normale kur gjendet pranë dhimbjes. Ne jemi pjesë e historisë së Ballkanit, ne kemi një gjenocid në Kosovë, një gjenocid në Çamëri, një gjenocid komunist, ka qenë e dëshirueshme që ne të ishim atje. 20-vjetori i masakrës së Srebrenicës ishte tronditëse për të kuptuar mjaft raporte, deri ku shkon ligësia njerëzorë, deri ku shkon absurdi, deri ku shkon edhe hapësira e paqes e harmonisë”, tha Hoxha.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb