Kryetarët e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian e kanë hapur perspektivën e anëtarësimit për mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor që në vitin 2003. Këtë premtim e përsëritën në vitin 2018.  Komisioni i BE-së do të publikojë këtë të mërkurë raportet vjetore për të gjashta shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe do të rekomandojë  çeljen e bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ai çertifikon për të dy këto vende, se i kanë bërë „detyrat e shtëpisë“  dhe se i kanë plotësuar kushtet që iu vendosën prej Këshillit vitin e shkuar. Tani e ka radhën BE të „bëjë detyrën e vet“. Ne i qëndrojmë fjalës dhe duhet të mbajmë premtimin. Sepse për Ballkanin Perëndimor është shumëçka në lojë. Dhe për Bashkimin Evropian bëhet fjalë për interesa jetësore në aspektin e sigurisë, por edhe për besueshmërinë e tij.

Te shumë të rinj në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut Evropa e bashkuar e vlerave të përbashkëta nuk ka humbur asgjë prej rrezatimit të saj. Brezi i ri, në pjesën dërrmuese të tij,  kërkon demokraci, shtet të së drejtës, mirëqenie, siguri dhe liri. Bashkimi Evropian ka nxjerrë mësimet e veta nga anëtarësimet e shkuara dhe kërkon prej vendeve kandidate të kenë plotësuar disa kushte që përpara nisjes së bisedimeve. Qeveritë e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut  janë duke punuar për një progra ambicioz reformash dhe kanë arritur progres të prekshëm në këtë drejtim. Në të dy këto vende populli dhe qeveria tregojnë se janë të gatshëm të bëjnë kompromise të dhimbshme në funksion të  afrimit me Bashkimin Evropian.

Me zgjidhjen e konfliktit për emrin – përkundër të gjithë rezistencës – Maqedonia e Veriut dhe Greqia kanë shkruar një pjesë të historisë evropiane.  Kësisoj bëhet i mundur fillimi i bisedimeve të anëtarësimit, rekomanduar prej Komisionit Evropian në mënyrë të herëpashershme që prej vitit 2009, pasi Greqia nuk e bllokon më këtë proces. Përpos kësaj qeveria ka hedhur piketat në reformat prioritare të përcaktuara nga BE, sikurse janë sektori i administratës publike, kontrolli i shërbimeve sekrete dhe lufta kundër korrupsionit. Thënë shkurt:  Maqedonia e Veriut gjendet në një kurs të vendosur reformash.

Në Shqipëri gjendja, në pamje të parë, duket më e komplikuar. Kjo lidhet para së gjithash me faktin që opozita ia del gjithnjë të prodhojë pamje dramatike – në vend që  të matet në mënyrë konstruktive me qeverinë në kontekstin e një konkurrimi politik idesh në parlament, të cilin aktualisht e ka bojkotuar. Por kjo politikë e papërgjegjshme obstruksioniste nuk duhet të errësojë gjithë sa vendi ka arritur.  Në kuadër të reformës në drejtësi, përmes një procesi deri më tani unik në mbarë botën – shoqëruar nga ekspertë evropianë – është duke u verifikuar integriteti i të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve. Rreth dy të tretat e subjekteve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese të verifikuar deri më tani nuk e kanë kaluar me sukses këtë test. Ata janë larguar në mënyrë konsekuente nga postet e tyre, të cilat janë duke u plotësuar hap pas hapi. Organet shqiptare të sigurisë – policia dhe strukturat e mbrojtjes së kufirit – bashkëpunojnë shumë ngushtë dhe mirë me autoritetet  gjermane, austriake dhe italiane, e që prej pak kohësh edhe me Agjencinë e BE-së për Mbrojtjen e Kufirit FRONTEX. Shqipëria ka bërë një pjesë të mirë të rrugës në udhëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian; veç të tjerash ajo është  anëtare e NATO-s që prej vitit 2009.

Stabilizimi dhe përfshirja e rajonit është në interesin evropian, e para së gjithash në atë gjerman. Në fund të ditës Ballkani Perëndimor është atriumi i shtëpisë evropiane. Situata e këtyre vendeve, që shtrihen në mes të Evropës, rrethuar plotësisht nga shtete të BE-së, na prek drejt për së drejti. Nëse BE i kthen shpinën këtij rajoni, do të vinte në rrezik zhvillimet pozitive dhe do t’ua linte fushën aktorëve të tjerë si Rusia, Kina apo Turqia. Dhe që Bashkimi evropian të humbë ndikim në mënyrë të vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor, kjo nuk mund të jetë në interesin tonë.  Suksesi në politikën e jashtme të Bashkimit Evropian përcaktohet para së gjithash prej faktit, nëse ne do të mund të paqëstojmë, stabilizojmë dhe demokratizojmë Evropën në mënyrë të qëndrueshme. Për këtë qëllim duhet të veprojmë duke vështruar para, me urtësi dhe kurajo.

E qartë mbetet një gjë: rruga drejt BE-së është e gjatë dhe e lidhur me kushte të qarta. Pra nuk bëhet fjalë aspak për një automatizëm anëtarësimi, përkundrazi  kemi të bëjmë vetëm me etapën e parë të një procesi që – referuar përvojës – zgjat për vite të tëra. Në fund të fundit perspektiva e anëtarësimit për vendet e Balllkanit Perëndimor është një mundësi e shkëlqyer – po kështu edhe për BE-në. Në këtë mënyrë dërgojmë një sinjal të rëndësishëm në mbarë rajonin:  përpjekjet për pajtim dhe reforma të vështira ia vlejnë.  Dhe se tek Bashkimi Evropian mund të besosh. Përpjekjet e suksesshme në vendet aspirante duhet të ndiqen nga një progres konkret në procesin e anëtarësimit. Vetëm fjalët e ngrohta nuk mjaftojnë, sepse përndryshe premtimi për anëtarësim shndërrohet në një frazë boshe. Ballkani Perëndimor mbetet guri i provës për suksesin e qëndrueshëm të modelit evropian, atij të demokracisë, lirisë dhe shtetit të së drejtës në siguri dhe mirëqenie. Vlerat tona mund të jenë vënë nën trysni, por ato vazhdojnë të mbeten produkti më i rëndësishëm i eksporteve tona.

*Michael Roth është deputet i SPD-së në Bundestag që prej vitit 1998 dhe që prej vitit 2013 mban postin e Ministrit të Shtetit për Evropën pranë Ministrisë Federale të Punëve të Jashtme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb