Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, Boiken Abazi, beson për një bashkim mes Shqipërisë dhe Kosovës. I ftuar në “Real Story”, në “News 24”, ai tha se dhe Gjermania e ndarë pas Luftës së Dytë Botërore ia doli që të bashkohej.

Abazi tha se bashkimi nuk do të ofrohet nga aleatët dhe mori rastin e SHBA-së, por pikësëpari sipas tij duhet të arrihet nga politikanët e dy vendeve. Ai shtoi se kjo nuk arrihet nga politikanë të shantazhuar.

Abazi nënvizoi se sipas tij politikanët në Shqipëri nuk e kanë në plan bashkimin me Kosovën, prandaj sipas Abazit, Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri vendosi të marrë pjesë në zgjedhjet e 25 prillit, ku do të përfaqësohet nga tre kandidatë.

“Gjermania u bashkua, po flasim për Partinë Social Demokrate, e cila pas Luftës s Dytë Botërore vazhdoi me këmbëngulje, me rezistencë, deri sa e bëri atë projekt. Kjo u arrit pas dekadash përpjekje. Unë nuk mendoj që gjermanët s’i kanë bërë llogaritë, dy shtete të ndara dhe dy vota në BE, apo një vend i fuqishëm, i kanë bërë llogaritë. Ne besojmë se bashkimi është e drejtë e shqiptarëve. Me mjete demokratike do e realizojmë. Nuk do të vijnë të tjerët të na bashkojnë. Nuk mund të vijë SHBA kur t’i shet sekretet e NATO-s. Së pari duhet një lloj serioziteti. Nuk besoj se këtë e bën një politikan i shantazhuar. Besoj se edhe në rastin e SHBA-së, projekti shqiptar nuk është plan A, por B. Nuk e bëjnë ata plan A, pa e bërë ne si shqiptarë plan A. Këtë nuk e ka në plan mesa duket asnjë parti në Shqipëri, prandaj zgjodhëm të hynim në zgjedhje”, tha Boiken Abazi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb