Vjen reagimi i bashkive të djathta pas deklaratës së ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj që paralajmëroi shkrirje të disa strukturave të Policisë Bashkiake që sipas ministrit kanë dalë haptazi jashtë funskionit të tyre, e janë përfshirë në tensione në disa KZAZ të vendit

Shoqata e bashkive të djathta e konsideron konfliktual edhe antikushtetues këtë deklaratë të ministrit, ndërsa shtojnë se me atë që e quajnë akt të paprecedent po thellohet grushti i shtetit.

“Gjatë ditës së sotme, Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, urdhëruesi i veprimeve të paligjshme të Policisë së Shtetit, njoftoi se Qeveria do të shkrijë Policitë Bashkiake, të cilat janë krijuar me ligj dhe janë pjesë thelbësore e mundësimit të ushtrimit të detyrave nga organet e njësive të qeverisjes vendore. Ky akt i paprecedentë është thellim i grushtit të shtetit nga Qeveria dhe një tentativë e qartë antikushtetuese për të uzurpuar kompetencat e Bashkive. Mbi këtë akt do të njoftohen nga ana jonë, në mënyrë të menjëhershme, të gjitha organizatat ndërkombëtare, që sigurojnë autonominë vendore, brenda dhe jashtë vendit. Në vend të zbatimit të ligjit, Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, me njoftimin për shkrirjen e Policive Bashkiake, synon një tjetër konflik institucional, kësaj here me qeverisjen vendore”

Bashkitë i kujtojnë Ministrit Lleshaj se në demokraci, institucionet autonome dhe të pavarura, nuk marrin urdhra nga Qeveria.

“Vendimi i njoftuar prej tij, është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin dhe, për pasojë, nuk do të njihet dhe nuk do të zbatohet nga Bashkitë. Ndërhyrja brutale e Qeverisë ndaj autonomisë vendore është e papranueshme dhe e paprecedentë. Nxitja e konfliktit midis Policisë Bashkiake dhe Policisë së Shtetit është, gjithashtu, një veprim kriminal i papranueshëm. Ne do të bëjmë gjithçka për të garantuar që qytetarët të mos bien pre e provokimeve të Qeverisë, që synojnë dhe nxisin konflik social dhe cënojnë destabilitetin demokratik të vendit. Policët bashkiakë janë në detyrë dhe të vendosur të ushtrojnë të gjitha përgjegjësitë e tyre sipas ligjit”,- vijon deklarata.

Ndër të tjera bashkitë e djathta i kërkojnë edhe Kryeministrit Edi Rama, “të ndalë menjëherë agresionin qeveritar dhe policor mbi strukturat bashkiake, si dhe të urdhërojë ndalimin e dhunës ndaj qytetarëve të bashkive tona, të cilët janë të vendosur të mbrojnë Kushtetutën dhe demokracinë. Asnjë terror dhe dhunë policore nuk mund të na pengojë të ushtrojmë përgjegjësitë tona kushtetuese dhe ligjore
“.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb