Zi në botën e sportit dhe veçanërisht në atë të basketbollit. Në moshën 51-vjeçare është ndarë nga jeta Patrick Baumann, i cili mbante postin e sekretarit të përgjithshëm të Federatës Botërore të Basketbollit (FIBA) si dhe atë të anëtarit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC). Ai ndodhej në Buenos Aires të Argjentinës për të ndjekur nga afër Lojërat Olimpike rinore kur pësoi një infarkt, që i mori jetën krejt papritur.

Baumann ishte duke shëtitur në momentin që pësoi infarkt, ndërkohë që ndërhyrja e një mjeku që ishte pranë tij nuk dha efekt. Ai konsiderohej si pasardhësi i Thomas Bach në krye të olimpizmit botëror, ndaj ndarja e tij e shpejtë nga jeta është një lajm tragjik për sportin.

Ai nisi disa reforma rrënjësore në sportin e basketbollit, duke i dhënë një dimension tjetër në mënyrën e organizimit këtij sporti. Baumann ka lindur në Bazel të Zvicrës në vitin 1967 dhe para se të niste karrierën si drejtues, ka luajtur basketboll e më pas ka mbuluar edhe detyrën e trajnerit. Ai ishte sekretari i tretë i historisë së FIBA-s.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb