Një gjykatë ruse dënoi të enjten yllin e basketbollit amerikan Brittney Griner me nëntë vjet burg nën akuzat e lidhura me drogën, pasi e shpalli fajtore për “mbajtje dhe kontrabandë të lëndëve narkotike”. Presidenti Joe Biden e quajti vendimin “të papranueshëm”.

Basketbollistja u shoqërua nga salla e gjyqit në pranga nga policia pas vendimit dhe u tha gazetarëve: “Unë e dua familjen time.”

31-vjeçarja Griner, fituese dy herë e medaljeve të arta olimpike dhe yll i Shoqatës Kombëtare të Basketbollit të Grave (WNBA), në Shtetet e Bashkuara, u arrestua në mes të shkurtit, kur mbërriti në Rusi për të luajtur për një skuadër ruse, pasi iu gjet në bagazh vaj kanabisi.

Ajo u gjend në mes të vorbullës gjeopolitike të shkaktuar kur Presidenti Vladimir Putin filloi agresionin rus në Ukrainë më 24 shkurt, duke i çuar marrëdhëniet SHBA-Rusi në nivelin më të ulët që pas Luftës së Ftohtë.

Prokurorët rusë kishin kërkuar 9.5 vjet burg për basketbollisten amerikane.

Gjykata ruse e shpalli fajtore basketbollisten Griner, “për sjellje të qëllimshme të lëndëve narkotike, megjithëse ato ishin të paligjshme”. Ajo tha në fjalën e saj para vendimit se futja e vajit të kanabisit në Rusi ishte “një gabim i pafajshëm.”

Brittney Griner iu lut një gjyqtari rus më herët të enjten që të mos “t’ia mbyllte jetën” me një dënim të ashpër me burgim për futjen e vajit të kanabisit para se të shpërthente në lot në gjykatë.

Presidenti Biden, nën presion për të kthyer në vend amerikanët e mbajtur në Rusi, i bëri thirrje Rusisë që të lirojë menjëherë basketbollisten Griner dhe tha se administrata e tij do të vazhdojë të punojë për lirimin e saj.

“Sot, shtetasja amerikane Brittney Griner mori një dënim me burg, një kujtesë tjetër e asaj që bota e dinte tashmë: Rusia po e arreston pa të drejtë Brittneyn,” tha ai në një deklaratë.

“Është e papranueshme dhe i bëj thirrje Rusisë ta lirojë menjëherë në mënyrë që ajo të kthehet tek gruaja e saj, të dashurit, miqtë dhe ekipi i saj.”

Edhe Sekretari i Shtetit, Antony Blinken e denoncoi dënimin, duke shkruar në Twitter se ky vendim “nxjerr në pah shqetësimet tona për përdorimin e ndalimeve të paligjshme nga qeveria ruse”.

“Unë premtoj se do të bëjmë gjithçka që mundemi për të sjellë në shtëpi (amerikanët) Brittney Griner dhe Paul Whelan sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ai duke iu referuar ish-marinsit, që gjithashtu mbahet nga Rusia.

Avokatët e zonjës Griner thanë se do ta apelonin vendimin që ata thanë se ishte “absolutisht i paarsyeshëm”. Ekipi i saj mbrojtës tha se gjykata kishte injoruar të gjitha provat që ata kishin paraqitur, si dhe pranimin e fajësisë nga ana e saj.

Dënimi i saj mund të hapë rrugën për një shkëmbim të profilit të lartë të burgosurish mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke këmbyer 31 vjeçaren Griner si edhe ish-marinsin Whelan, me ish-tregtarin rus të armëve, Viktor Bout.

Zyrtarët rusë kanë thënë se nuk është arritur një marrëveshje për këtë çështje.

Shoqata amerikane e basketbollit tha në një mesazh në Twitter se ishte e zhgënjyer nga vendimi i së enjtes, por se do të mbetej e angazhuar me Departamentin e Shtetit në përpjekjet për ta kthyer baskebollisten Griner në Shtetet e Bashkuara./VOA/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb