TIRANE – Ministri i Financave Arben Ahmetaj komentoi sërish sot në parlament, pr/ligjin e qeverisë për mbylljen e lojërave të fatit dhe basteve sportive nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Në fjalën e tij Ahmetaj tha se nuk ka asnjë dilemë për vendosmërinë e kësaj maxhorance për të mbyllur një herë e mirë debatin mbi  lojërat e fatit.

“Është shumë i qartë qëndrimi i qeverisë për mbylljen e kazinove, basteve, lojërat on line, më 31 dhjetor. Gjithë ai debat, bolori politike, sot mbyllet pa kthim. Cdo qytetar është i qartë që nga 1 janari do të jetë pa kazino, pa salla bastesh, pa online. Nuk ka kthim mbrapa. Ka një periudhë për t’u përgatitur deri në 31 dhjetor dhe qeveria ka nxjerr udhëzimin për ristrukturimin e AMF, ky autoritet do të merret vetëm me antiinformalitetin, përgatitjen e mbylljes së dosjeve për njësitë që do mbyllen, pezullimin e kërkesave për leje.” -tha Ahmetaj ndërsa sqaroi edhe dy pikat e shtuara në këtë pr/ligj.

“Dua të sqaroj është shtuar dhe pika 2.2 për të sqaruar opinionin pas 31 dhejtorit asnjë shoqëri nuk mund të vendosë apo të ofrojë lojëra fati sipas konceptit VLT vec rasteve për kazinotë me 5 yje, që do e kenë akoma më të skanuar procesin. Mbyllen të gjitha mundësitë, ku asnjë kompani asnjë i interesuar të futet nga dera e prapme. ” -tha në vijim Ahmetaj ndersa shtoi se  “Përgjegjësia e shtetit, për organizim e ndërmjetësim. Në preambul të cdo ligji prevalon përgjegjësia e shtetit. Dhe e dyta reklamat, kanë qenë të ndaluar por e sqaruam që dikush të mos dalë e të thotë po ky është emision sportiv. Tashmë nuk ka asnjë ekuivok, 1 janari është epokë e re sociale.”

Ministri i Financave u ndal edhe në personat e punësuar në këtë industri.

“Ka tre element ku dua të ndalem. Jemi duke përgatitur me shërbimin e punësimit një platformë trajnimi për 63 mijë punëkërkuesve të regjistruar. Programi tjetër i trajnimit, ai profesional, do të trajnojmë 20 mijë punë kërkues dhe brenda këtij grupi ka qytetarë që kanë mundësi të punësohen qoftë në industri apo sekstorë që kanë lidhje me shërbimet apo grafik dizajn. Dua të theksoj se do jetë një çlirim i madh social. Asnjë qytetari nuk do mungojë ato pika që janë kthyer në gangrenë familjarë. – tha më tej Ahmetaj, ndërsa theksoi se nga 1 janari paratë e shpenzuara në këtë sektor do shkojnë në konsum dhe do konsumohen për arsim apo trajnim, argëtim etj.

“Pra, argumenti ekonomik nuk qëndron. Vendimi i kryeministrit për të mbyllur këto kategori është e maturuar me një emërues të përbashkët. Dikush mund të thotë pse tani. Gjithë vëmendja u fokusua te shqetësimi i qytetarëve. Lojërat e fatit u kthyen në gangrenë dhe në këtë reflektim kjo maxhorancë mori këtë vendim të matuaruar. Nuk ka kthim pas, në 1 janar këto kategori nuk do të ekzistojnë më.” -përfundoi Ahmetaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb