TIRANE – Pas ndryshimeve të ligjit për lojërat e fatit në fund të 2016-ës, ku ishte vendosur shtyrja e zbatimit të tij deri më 31 dhjetor të këtij viti për kategorinë e kazinove elektronike dhe bingove tradicionale, qeveria ka bërë publike edhe përcaktimet e reja ligjore për “Bastet sportive” dhe “Bastet për garat në pistë”.

Në projektligjin e miratuar ditën e martë, Këshilli i Ministrave ka përfshirë edhe mbylljen e aktivitetit për këto dy kategori më 31 dhjetor 2018. Në projektligjin e ri është vendosur gjithashtu që për bastet sportive dhe bastet për garat në pistë të ndërpritet dhënia e licencave të reja.

Qeveria ka vendosur edhe pezullimin e përkohshëm të Aktivitetit të Autoritetit që mbikëqyr lojërat e fatit deri në ristrukturimin e këtij institucioni, duke ia kaluar kompetencat përgjatë kësaj periudhe ministrit të Financave Arben Ahmetaj. Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht në të gjithë vendin numërohen rreth 4.500 pika bastesh.

VENDIMI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, dhe të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Pezullimin e përkohshëm të veprimtarisë, në fushën e lojërave të fatit, të Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF), deri në ristrukturimin e këtij institucioni.
2. Ngarkohet ministri i Financave dhe Ekonomisë, si organi epror, të nxjerrë aktet e nevojshme për ristrukturimin e AMLF-së, si dhe të ndjekë zbatimin e këtij procesi.
3. Ngarkohet ministri i Financave dhe Ekonomisë, të përcaktojë aktivitetet konkrete që do të vijojë të kryejë AMLF-ja, për mbikëqyrjen e veprimtarisë së lojërave të fatit, gjatë periudhës së përkohshme të pezullimit.
4. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb