Policia e Kantonit të Cyrihut ka ushtruar një kontroll në një klub në Glatbrugg (komuna Opfikon) duke arrestuar gjashtë persona nga Shqipëria dhe nga Serbia, shkruan polizeinews.ch.

Policët kanë kontrolluar rreth 60 klientët që ndodheshin në ambientet e klubit si dhe të punësuarit dhe menaxherin, transmeton albinfo.ch. Sipas raportimeve janë arrestuar pesë femra të moshave nga 26 deri në 48 vjeçe me shtetësi të Shqipërisë dhe të Serbisë, të cilat nuk kishin leje përkatëse pune.

Menaxhuesi i klubit, një shtetas 34-vjeçar serb është arrestuar po ashtu për shkelje të ligjit për të huajt. Në klub është konfiskuar edhe një armë.

Albinfo.ch mëson se bëhet fjalë për një klub që menaxhohet nga shqiptarët dhe i frekuentuar nga shqiptarët.

Të arrestuarit pas marrjes në pyetje nga prokuroria do t’u nënshtrohen masave në përputhje me ligjin për të huajt, që janë në kompetencë të Zyrës për Migracion.

Siç shkruajnë mediat lokale, kjo nuk ishte hera e parë që bastisej ky klub. Në vitin 2016 në një kontrollim të ngjashëm ishin arrestuar 16 “zonja animuese”, një këngëtar nga Maqedonia dhe pronari i klubit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: