Partizani po vijon me shitjet e lojtarëve më të spikatur. Pasi shitën Xhuljano Skukën për një shumë rekord të futbollit shqiptar dhe Eneo Bitrin, drejtuesit e kuq kërkojnë të arkëtojnë të tjera të ardhura nga  mesfushori Arinaldo Rrapaj.

Po negociohet transferimi drejt ekipit bullgar Ludogorets dhe bisedimet janë në fazën finale për detajet e fundit.Futbollisti ka një ofertë konkrete dhe Partizani pritet të përfitojë një shumë të majme nga shitja e tij.21-vjeçari është titullar prej dy sezonesh te të kuqtë dhe e ka kthyer veten në një lojtar shumë të rëndësishëm dhe esencial për formacionin e “demave”.

Shifrat e shitjes së futbollistit nuk bëhen ende të ditura, ndërsa Rrapaj pritet të përshëndetet me shokët e skuadrës. Por nëse për arkat e klubit ky është një lajm i mirë, për stafin teknik të të kuqve nuk është i tillë, pasi duhet të gjejnë zëvendësuesin e tij kur merkatoja tashmë është mbyllur. Rrapaj largohet nga kryeqyteti me 50 ndeshje të luajtura duke shënuar edhe 7 gola me fanellën e Partizanit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb