Analisti kosovar, Baton Haxhiu, komentoi në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, zgjedhjet në Serbi, ku Aleksandër Vuçiç u shpall sërish fitues, duke u ndalur dhe te dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

“Marrëdhënia Kosovë-Serbi ose ka një fund në shtator, ose një status quo, deri ku ne nuk e dimë. Çfarëdo marrëveshje, qoftë edhe e keqe, është më e mirë se status quo, ku 2 milionë njerëz në Kosovë nuk mund të dalin jashtë, kanë probleme serioze. Marrëveshja është njerëzore, humane, për arsye se një pjesë e njerëzve vuajnë shumë, një pjesë pak, kurse politikanët kanë privilegjin për të dalë jashtë”, tha Haxhiu.

Sa i takon zgjedhjeve serbe, Haxhiu tha se ka dy arsye kryesore, që i bënë kaq të rëndësishme ato, që janë bojkotimi i zgjedhjeve nga opozita dhe fakti që evropianët janë plotësisht kundër idesë së shkëmbimit të territoreve. Mes të tjerash, analisti theksoi se është shumë e rëndësishme të arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, qoftë edhe e keqe, pasi do të ishte më e mirë se ‘status quo’ për kosovarët.

“Ka dy arsye, e para është se opozita serbe ka bojkotuar zgjedhjet, atje është vendosur një model autokratik, por edhe fakti që ky është vendi i fundit që ka të hapura disa çështje. Nga aspekti shqiptar janë dy momente, një pjesë e shqiptarëve dëshiron t’i bashkohet Kosovës, një pjesë tjetër luan rol të dyfishtë. Shqiptarët dëshirojnë të krijojnë një ekuilibër të drejtash, nëse nuk realizohet bashkimi, ku siç duket evropianët janë plotësisht kundër, pra ndryshimit të kufijve, marrjes dhe dhënies së territorit. Evropianët janë kundër shkëmbimeve etnike territoriale. Kjo është rëndësia e këtyre zgjedhjeve, por edhe për faktin se zgjedhjet janë edhe në Maqedoni. Zgjedhjet në Luginën e Preshevës kanë pas një far stimuli për të qetësuar situatën”, u shpreh ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb