Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi po zhvillon ditën e sotme një takim me disa të rinj në Korçë, që votojnë për herë të parë. Duke sfiduar temperaturat e ulëta, por dhe reshjet e dëborës, Kryemadhi tha se LSI është partia që rritet në çdo zgjedhje për shkak të votuesve të rinj.

Mes të tjerash ajo nuk i kurseu as batutat, teksa kujtoi faktin se ajo nuk është votuese për herë të parë e LSI-së.

FJALA E PLOTE
Edhe pse vështirësitë e kohës, ne prap ja ku jemi. Falënderoj Petrikën që ka krijoi këtë mundësi, jemi mbledhur prap bashkarisht. Kafen e mëngjesit e kemi nisur që në orën 8 e gjysëm, por pas një peripecie dhe sakrifice shumë të madhe arritëm të takoheshim. Rrugët shumë të bllokuara, mundësia e lëvizjes shumë e vogël.

Në Korçë ndihesh mirë edhe me këtë dëborë kaq të madhe, me këtë peisazh kaq të bukur dhe kaq të pastër, brenda saj ka një zjarr të jashtëzakonshëm, i ndryshimit. Unë dje deri në orët e vona isha në Maliq, shpi më shpi dhe ajo që më bënte përshtypje ishte se nje njerëzit ndiheshin të harruar, sepse mendonin se njeri nuk i takon, bora do i bllokojë rrugët, do e kenë shumë të vështirë për të lëvizur, por do shikojmë që nuk do të ketë vëmendjen fare ndaj nesh, nuk do të ketë ndihma, ushqime, ndihma për ndonjë të sëmurë etj. Në fakt dje kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me një shokun tim, Nikolin Shtjefni i cili donte të ikte në shtëpi, por ka ngelur me orë të tëra në rrugën nacionale të Lezhës.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Qafë Thanë e në të gjitha rrugët. Në këtu jemi për të biseduar se pavarësisht vështirësive që kemi gjatë gjithë kohës, qoftë ju që jeni studentë me provime, maturantët që kanë provimet, ne që merremi me fushata, jemi të gjithë në një pikë të përbashkët, për të sensibilizuar njerëzit shpi më shpi, për ti dërguar në 25 prill në kutitëve e votimit. Nuk na ndal asgjë, bora na jep frymëzim.

Më shumë ju falënderoj juve, vajzave e djemve të rinj të Korçës, pasi duam që çdo gjë të shkojë në duart tuaja. Kur po vinim këtu rrugës pamë se si një njeri i lidhur me qeverinë, me kryetarin e bashkisë ka futur edhe pemët brenda. Ka bllokuar trotuarin, unë skam parë pemë të futur brenda në lokal. Ndodh edhe në Tiranë, ku Rama përballë ambasadës Amerikane një pallati i ka dhënë trotuarin dhe kalimtarët duhet të ngjisin shkallët që të ngjiten lart në pallat dhe më pas të kalojnë në anën tjetër të trotuarit. Absurditeti i keqqeverisjes.

Kjo qeverisjes, indeferenca jonë ka bërë që jo vetëm në arrogancë, por të kalojë në uzurpim të të drejtave të qytetarëve, prandaj edhe jam shumë e lumtur që shikoj sot listat e zgjedhësve mbi tavolinë. Para se të nismim bashkëbisedimin vërtetë evidentimi që keni bërë me votuesit për herë të parë, shokët, fqinjët, etj., është një punë e mrekullueshme dhe ne e kemi nisur në të gjithë Shqipërinë sepse LSI rritet në çdo prag zgjedhje për shkak të votuesve për herë të parë, të cilët janë votuesit më të konsoliduar. Kthehemi në identitetin tonë, për të përfaqësuar të rinjtë dhe të rejat dhe ajo që mendoj unë që është shumë e rëndësishme është që ne ti bëjmë jo bllokadë, por të eleminojmë çdo lloj barriere që krijon hapësira dhe mundësi jo vetëm të vendimmarrjes. Unë besoj te të rinjtë dhe të reja, fuqia jonë si LSI qëndron tek të rinjtë. Ne jo pa qëllim kemi zgjedhur Petrikën për qytetin e Korçës, sepse përveç se është djalë i lindur dhe i rritur në Korçë, është edhe një njeri i identifikuar me kulturën dhe traditën e Korçës. Do të dëshiroja që në mandatin tjetër ne të mos kishim vetëm Petrikën, por të kishim të gjithë djemtë dhe vajzat nga Korça, nga Maliqi, Kolonja, Pogradeci, në mënyrë të tillë që ta drejtoni ju. Të mos drejtohet më nga oligarkë që janë më 4 klasë shkollë dhe janë oligarkë të emërtuar me paratë e buxhetit të shtetit, që më pas vijnë dhe drejtojnë jetën tuaj.

Kur po vija rrugës, pyeta kush e ka administrimin e qytetit për të pastruar rrugët. Sepse që të vish për 3 km dhe ta bësh për 1 orë e gjysëm është e tmerrshme. Pra këtu merren paratë, ju paguani taksa pastrimi, taksë gjelbërimi, paguani taksat e biznesit dhe kur vjen puna kompania që ka fituar tenderin përdor mjetet e bashkisë, merr paratë e bashkisë dhe prapë nuk e pastron. Dhe më e tmerrshmja ishte që pamë në mëngjes më Endritin, në vend që përfaqësuesit e bashkisë të dilnin dhe të thonin që ne po punojmë, po mundohemi e po marrim nga një lopatë që të pastrojmë rrugën, kishte postuar foto që i bënte reklamë biznesit të vet. Promovimi i biznesit është shumë i mirë, por promovo njëherë hallet dhe problemet që ka qyteti, për t’i zgjidhur çfarë kanë qytetarët, pastaj promovo bizneset e tua private.
Studentët duhet të punojnë, sepse edhe krijojnë lidhjen midis punës, profesionit, përgjegjshmërisë. Por është edhe një ndihmë ekonomike, jo vetëm për vetë studentët, por edhe për familjarët. Por kur studenti punon nga halli se është e gjithë familja e pa punë, ose e lë shkollën për të punuar, kjo pastaj është me të vërtetë shumë e dhimbshme.

Dhe kjo është një nga gjërat që ne fokusohemi te programi i arsimit, që ka të bëjë edhe me “Mëso dhe fito”, që të lidhësh shkollën me profesionin, në mënyrë të tillë që ndërkohë që rritesh profesionalisht, ke edhe një mundësi ekonomike për familjen. Por nga ana tjetër edhe taksa për arsimin që ne duam të vendosim, që është “Taksa e të ardhmes”, 1% për bizneset e mëdha, do të thotë që këto para do të shkojë drejtpërdrejtë në buxhetin e arsimit. Pse? Sepse një nga problemet më të mëdha që ka sot arsimi shqiptar është që nuk i ofron studentëve tanë jo vetëm cilësi, por edhe diplomë dinjitoze. Dhe ne universitetet i duam për të konkurruar me profesionistë të rinj jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë. Ajo që është shumë e rëndësishme, është që Shqipëria ka mundësi dhe zhvillim jo vetëm në turizëm, por në shumë aspekte të tjera, qoftë në ekonomi, bujqësi, në naftënxjerrje dhe kudo, në mënyrë të tillë për të rritur ekonominë shqiptare.

Ne jemi fokusuar në krijimin e elitave profesionale të reja. Sepse çdo ditë e më shumë universitetet tona jo vetëm që po rrudhen, pot po shkojnë drejt mbylljes së degëve të ndryshme dhe ndërkohë po zhvillohet vetëm Fakulteti i Infermierisë, sepse çdo njeri që shkon për infermieri i bashkëngjitet kursit të gjermanishtes për t’u larguar drejt Gjermanisë. Dhe ndërkohë nga ana tjetër ne do të ngelemi pa mësues filloreje, do të ngelim pa infermierë, pa inxhinierë, pa kimistë.

Ajo që është sot më e rëndësishme, është që ne nuk kemi nevojë për njerëz që janë shërbëtorë të oligarkëve, por kemi nevojë për sfida të reja, për njerëz të rinj që duan të konkurrojnë në ekonomi, duan të konkurrojnë me idetë e tyre, me bizneset e tyre. Dhe po kështu programi “Garancia Rinore”, që nuk është ndonjë shpikje e jona, është një nga projektet që e ka bërë BE për të nxitur të rinjtë që të përfshihen në biznese, për të hapur bizneset e tyre me start up-e, në mënyrë të tillë që të krijojnë jo vetëm punësim, por edhe një konkurrencë midis bizneseve të mëdha, që nuk e konkurrojnë në sasi apo në treg, por e konkurron në cilësi, në risi e në gjëra të tjera të domosdoshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb