Gjatë shpërndarjes së lejeve të legalizimit në pallatin e sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet nuk munguan batutat mes kryeministrit Rama dhe qytetarëve.

Kur një i moshuar i kërkoi Ramës që ta lejojë të ndërtojë një kolibe, kryeministri me humor iu përgjigj se “mos vër asnjë tullë pa leje, se të ikën qeleshja”.

Pjesë nga biseda

Rama: Ti qenke nga ato tironcit që s’ndërrojnë mendje.
Qytetari: Të gjithë qeveritë që erdhën thanë: I gëzofshi shtëpiat. I gëzofshi shtëpiat njëri, i gëzofshi shtëpiat tjetri.
Rama: Aaa mos na ngatërro, vetëm njëri thoshte: I gëzofshi
Qytetari: Të gjithë kështu keni thënë, si i majti si i djathti.
Rama: Thuaj të drejtën, e prisje ta merrje nga unë lejen e legalizimit?
Qytetari: Po..
Rama: Mos rrej
Qytetari: Jo, mos rrej ti
Rama: Jo, jo nga unë nuk e prisje, se të thoshin mos ja jep votën këtij se ky do ta shembi shtëpinë.
Qytetari: Po, këto fjalë i kanë thënë. Por kam një kërkesë. A të bëjmë një kolibe, se është rrit çuni dhe t’ia bëjmë një kasolle.
Rama: Pa leje? Merre lejen Eshref dhe mos ve asnjë tullë pa leje se të ikën qeleshja. Se ti votën prapë andej do e japësh. Votën e jep andej të mirat i merr këtej. Ne as votën s’na ke dhën, e prapë lejen nga ne e more.

Në mbledhjen e organizuar në pallatin e sportit “Asllan Rusi” ku ishin të pranishëm kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Rama foli edhe për investimet në rrjetin e energjisë.

“Investimet në rrjetin e energjisë po vazhdojnë intensivisht. Rrjeti i energjisë që trashëguam në 85% të vetëm ishte në moshën e Artan Lames, kur ka lindur në kohën e elektrifikimit. Ajo që nuk u bë 40 e ca vjet s’mund t’i kërkohet një qeverie ta bëjë për 3 vjet e pak. Një shtëpi nuk ndërtohet brenda ditës, por ndërtohet me durim, e njëjta gjë vlen për Shqipërinë,” tha Rama.

 

 (e.f/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb