Bayerni i Mynihut merr kryesimin pas javës së pestë në Bundesligë. Bavarezët fituan 7-0 ndaj Bochum. Vetë rezultati flet për dominimin bavarez, që ka lënë pas barazimin në javën e parë.

Asnjë humbje në 8 ndeshjet zyrtare në të gjitha kompeticionet për trajnerin e ri Julian Nagelsmann, 7 fitore dhe 1 barazim, por ajo që bie në sy janë 38 golat e realizuar, me një mesatare të frikshme, 4.75 gola për ndeshje.

Bayern mori kreun falë ndalesës së Wolfsburg, që nuk shkoi më shumë se 1-1 ndaj Eintracht Frankfurt. Ndërkohë, vetëm një pikë më pas është Borusia e Dortmundit, që fitoi 4-2 ndaj Union Berlin.

Erling Haaland realizoi dy herë në këtë sfidë, duke u ngjitur në kuotën e 7 golave, po aq sa Robert Lewandowski, por norvegjezi kryeson sepse ka dhënë edhe katër asiste. Në vend të katërt ngjitet Bajer Leverkusen, që edhe pse me 10 vetë që nga minuta e 32, fitoi 3-1 në transfertë ndaj Shtutgartit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb