Emanuel Neuer më në fund është rikthyer në fushat e lojës pas një dëmtimi që e la larg për 8 muaj. 32-vjeçari u aktivizua kundër Austrisë në miqësore, por për formën e tij ka shumë pikëpyetje.

Jo vetëm Gjermania e cila po përgatitet për Botërorin, por edhe Bayern Mynchen dyshon nëse portieri do të rikthehet të jetë ai i mëparshmi. Për këtë arsye sipas “The Sun” klubi gjerman po kërkon për të gjetur zëvendësuesin.

Sipas tyre bavarezët do tentojnë të afrojnë në skuadër portierin e kombëtares britanike dhe të Evertonit, Jordan Pickford. 24 vjeç, është përzgjedhur në kombëtaren britanike në Kupën e Botës “Rusi 2018”, ndërsa Neuer, 32 vjeç, ka qëndruar 8 muaj pushim për shkak të dëmtimit në këmbë.

Neuer, një nga senatorët e Bayern dhe kombëtares gjermane (74 ndeshje), ka gjithë Botërorin në dispozicion për të treguar se është ende një portier i vlefshëm për kampionët dhe se mund të bëjë diferencën në fushë. Ndërsa Pickford pritet të jetë portieri titullar i Anglisë në Botërorin rus dhe në rast të një oferte të mirë nga Gjermania mund të lërë Premier League për të luajtur në Bundesligë dhe në Champions sezonin e ardhshëm. Problem për Bayern do të jetë rivaliteti me Manchester United, që mund të marrë Pickford në rast se De Gea vendos të largohet dhe të rikthehet në Spanjë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb