Bayern i Mynihut tregohet i pamëshirshëm ndaj ukrainasve të Shakhtar Donjetsk, duke fituar thellë me shifrat 1-5. Sfida e zhvilluar në Veltins Arena të Shalkes, impanjti ku skuadra e Shakhtar zhvillon sfidat e saj si ekip pritës, rezultoi shumë e lehtë për bavarezët, pavarësisht se ishin vendasit që befasuan që në minutën e 5 me Kevin. Reagimi ishte shumë i shpejtë nga skuadra e Vincent Kompany që barazoi me Laimer 6 minuta më vonë. Fraksioni i parë u mbyll me avantazhin e bavarezëve pas golit të Thomas Muller.

Pjesa e dytë ishte një dominim total i skuadrës së Bayern, të cilët realizuan edhe tre herë të tjera, falë dopietës së francezit Michael Olise, si dhe golit të të përhershmit Musiala. Falë kësaj fitoreje Bayern ngjitet për momentin në vendin e 8 me 12 pikë.

Fiton më në fund edhe PSG. Kampionët francezë kishin një sfidë “jetë a vdekje” ndaj Salzburg, pasi një tjetër hap fals mund t’i kushtonte shtrenjtë të besuarëve të Luis Enriques. Megjithatë kampionët francezë ishin dominues në fushë duke mos e vënë në diskutim për asnjë moment fitoren. Kjo edhe falë formës së dobët që po kalojnë këtë sezon austriakët, jo vetëm në Evropë por edhe në kampionatin vendas. Gonçalo Ramos në pjesën e parë, Mendes dhe Doue në të dytën ishin autorët e golave për PSG.

Falë kësaj fitoreje parzienët “prekin” zonën e Play-Off me 7 pikë. Megjithatë ata duhet të mos gabojnë në dy sfidat e mbetura për të mos kompromentuar më tej situatën në renditjen e përgjithshme të Fazës së Ligës në Champions League.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: