Rusia është vënë në alarm nga vendimi i NATO për të ngritur një bazë ushtarake në Kuçovë. Pak ditë më parë ishin disa analistë dhe disa media ruse të cilët shpreheshin të shqetësuar nga kjo lëvizje e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por reagimet nuk kanë mbaruar me kaq. Këtë herë ka qenë portali “Fort-Russ” ai i cili i ka dedikuar një artikull kësaj çështjeje.

Artikulli është i mbizotëruar nga nota shqetësimi, ndërsa nuk kursehen as paralajmërimet për skenarët e dhunës. Sipas rusëve, plani i NATO për të krijuar bazën ushtarake në Kuçovë është një hap i hedhur nga SHBA për të vënë në zbatim planin për Shqipërinë e Madhe.

“Zgjerimi i infrastrukturës së NATO-s në Shqipëri nuk është befasi dhe është pjesë e fushatës më të madhe të SHBA-NATO për të promovuar një “Shqipëri të Madhe” që përfshin nxitjen e konflikteve fetare në shtetet e Ballkanit me popullsinë shqiptare, si Mali i Zi dhe Maqedonia, dhe të cilat mund të shërbejnë si një valë kundër Serbisë”, thuhet në shkrim.

Gjakderdhje dhe destabilizim
Ajo që bie në sy në artikull është fakti se aty përmendet edhe mundësia për të nisur gjakderdhjet në Ballkan. Sipas rusëve, në rajon mund të zhvillohet beteja e ardhshme gjeopolitike që do të sjellë destabilizim.

Portali rus “Fort-Russ” shkruan se vendimi i NATO për të krijuar bazën ushtarake në Shqipëri do të përshkallëzojë konfliktet në rajon dhe do të nxisë gjakderdhje.

“Analistët e FRN kanë parashikuar vazhdimisht se Ballkani mund të jetë beteja e ardhshme gjeopolitike në fushatat e destabilizimit të Atlantikut nëpërmjet skemës së “Shqipërisë së Madhe”. Në këtë kontekst, krijimi i një baze të NATO-s në Shqipëri pa dyshim përfaqëson preludin e operacioneve të destabilizimit dhe përshkallëzimit të konflikteve në rajon, se 50 milionë euro të parashikuara për projektin e bazës ajrore ka të ngjarë të gjejnë ndihmën e tyre për të nxitur gjakderdhjen në formën e separatizmit radikal shqiptar në shtetet fqinjë”, vijon më tej artikulli.

Në fund, portali rus nuk “harron” të bëjë edhe një përshkrim të Shqipërisë. Sipas tij, Shqipëria është një shtet i vogël, por me korrupsion në nivele shumë të larta.

“Shteti i vogël por shumë i korruptuar i Shqipërisë ka vepruar vazhdimisht si një qenie e NATO-s qysh kur një koalicion i udhëhequr nga SHBA mbështeti terroristët shqiptarë në shkëputjen e Kosovës nga Serbia gjatë viteve 1990 dhe fillim të vitit 2000”, përfundon artikulli i “Fort-Russ”.

Shqetësimet e Rusisë
Rusia shprehet e shqetësuar për rritjen e ndikimit të SHBA dhe NATO në vendin tonë dhe në Ballkan sepse dihet që ky rajon ka qenë gjithmonë nën shënjestrën e Moskës. Baza ushtarake e NATO që do të ngrihet shumë shpejt në Kuçovë e ka vënë në alarm Moskën.

Në momentin që ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka propozoi në SHBA që të ngrihet një bazë ushtarake me qëllim që tu bëhej ballë influencave ruse e terroriste. Por përgjigja pozitive që i dha NATO ministres sa i takon propozimet të saj nuk është mirëpritur nga shteti rus, i cili mesa duket tani do e ketë të vështirë të shtrijë tentakulat në Ballkan.

Tashmë dihet se Rusia ka ndërhyrë në Serbi, në Mal të Zi e në Maqedoni, ndërsa vendi ynë ka qenë disi më imun. Siç duket, imuniteti i vendit tonë po rritet për shkak të bazës ushtarake të NATO dhe kjo, duke u nisur nga reagimet e shumta, mund të përbëjë një shqetësim për Rusinë./Mimoza Ibra, Sot/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb