E lindur në Londër me prindërit nga Kosova, Dua Lipa cilësohet nga ‘BBC’ si “ylli i popit në pritje”. Zëri i ëmbël dhe fotografitë e zjarrta të Dua Lipës e bëjnë atë të tingëllojë si një yll i ardhshëm i muzikës pop. Si një fëmijë, Lipa ishte pjesë e teatrit të shkollës deri në moshën 13-vjeçare. Pas asaj, familja shkoi në Kosovë për shkak të punës së babait të saj. Ata jetuan për dy vite atje, por prindërit më pas ranë dakord që ajo të vazhdojë karrierën muzikore në Londër.

Ajo u kthye në Londër, jetoi me miq, ka punuar në restorante dhe klube. Jeta e saj e natës në Londër përshkruhet mirë edhe në tekstet e saj. Këngët e saj origjinale të para i publikoi në “SoundCloud” në vitin 2012, duke tërhequr vëmendjen e menaxherëve të këngëtares së njohur Lana Del Rey, të cilët punuan me Lipan për dy vite rreth muzikës pop. Përveçse është rritur me tingujt e muzikës së David Bowiet dhe Bob Dilanit, këngëtarja shqiptare albumin që ka blerë është ai i yllit kanadez të popit, Nelly Furtado, për të cilin thotë se ishte e obsesionuar.

“Më kujtohet se i dija tekstet e të gjitha këngëve të atij albumi para se të shkoja në vitin e parë në shkollë. Isha e obsesionuar”, është shprehur Dua Lipa në një intervistë për ‘BBC’. Ajo dje ka lançuar këngën e saj më të re “Last Dance”, që ishte premierë në ‘BBC Radio 1’, videoklipin e së cilës e kishte incizuar para një viti e gjysmë më parë. “E kam shkruar atë në Toronto. Ishte një nga këngët që zbulonte se si unë do të isha, muzika, errësira, teksti, kori i popit. Kjo është një nga këngët që do ta dërgoja te producentët dhe do t’u thosha: ‘Mirë, ky është zëri im'”, është shprehur Dua Lipa. Ajo ka thënë se kjo këngë është bërë në tetor të vitit 2014.

Kur është pyetur nëse kjo pritje e ka çmendur atë, ajo është shprehur: “Po, por donim që të bënim gati albumin para se të publikonim diçka, prandaj mund të planifikonim dhe të incizonim videot”. 20-vjeçarja ka treguar se një nga instrumentet e para që kishte zgjedhur ishte një violonçel, nga i cila do të hiqte dorë më vonë për shkak të rrezikimit të shëndetit. “Ishte një zgjedhje e çmendur, të zgjidhja violonçelin kur isha në shkollë fillore. Vërtetë më pëlqente, por isha shumë e vogël. Duhej ta mbaja këtë çelo të madhe në shpinën time dhe ishte shumë e rrezikshme për shëndetin tim për shkak të madhësisë, prandaj hoqa dorë”, ka thënë Dua Lipa.
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: