MAQEDONI- Partia Bashkimi Demokratik për Integrim në mbledhjen e mbajtur ka shqyrtuar gjendjen aktuale të krijuar pas realizimit të referendumit konsultativ për hyrje të Republikës së Maqedonisë në BE dhe NATO me pranim të Marrëveshjes së Prespës.

Partia e Ali Ahmetit  ka vlerësuar se për momentin prioritet i vendit mbetet implementimi i Marrëveshjes së Prespës, ndërsa sa u përket zgjedhjeve të parakohshme, vlerëson se për momentin nuk është koha për zgjedhje, sepse sipas BDI-së mund të “rrënohet” dinamika e implementimit të Marrëveshjes së Prespës, e cila mund të sjell një situatë bllokuese të proceseve të vendit në strukturat euro-atlantike.

Kokluzionet e BDI-së:

-Në referendum dolën 650 mijë qytetarë, prej të cilëve mbi 90%, ose 610 mijë qytetarë janë deklaruar pozitivisht, me çka qartë pasqyrohet vullneti i popullit për anëtarësim të vendit në BE dhe NATO dhe për pranim të Marrëveshjes së Prespës.

-BDI vlerëson se Marrëveshja e nënshkruar dhe e ratifikuar paraqet obligim ndërkombëtar për vendin, dhe në këtë drejtim i përshëndet mesazhet e dërguara nga miqtë ndërkombëtar, para së gjithash të SHBA-së, Bashkimit Evropian, vendeve anëtare të Unionit etj, në të cilat qartë dhe pa hamendje thirret Parlamenti i Republikës së Maqedonisë të merr obligimin për zbatim dhe implementim të Marrëveshjes së Prespës.

-Duke pas parasysh këto konkluza, Kryesia Qendrore e BDI-së, vendosi që për momentin prioritet i vendit është gjetja e zgjidhjes me të cilën do të implementohet Marrëveshja e Prespës në Kuvend, dhe thërret të gjitha partitë politike që të punojnë në drejtim të krijimit të kushteve për implementim të Marrëveshjes.

-BDI vlerëson se për momentin nuk është koha për zgjedhje parlamentare të parakohshme, me të cilat do të rrënohet dinamika e implementimit të Marrëveshjes së Prespës, gjë që mund të sjell deri tek një bllokadë serioze të proceseve integruese të Republikës së Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb